Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”. Haradinaj i ka nderuar ata me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skenderbeu, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj tha se ansambli “Shota”, përfaqëson më së miri vlerat kombëtare. Madje kreu i ekzekutivit u ka garantuar atyre përkrahje, ngase tha se ndihet krenarë me ta.
“Për mua është një ditë më ndryshe, gjithherë jam ndjerë i nderuar kur kam qenë përballë në shfaqje të ansamblit dhe arsyeja pse jam ndjerë i nderuar është sepse ka vlera artistike dhe fuqi njerëzore, duke vlerësuar vlera tona kombëtare”, tha Haradinaj.
“Kultura dhe arti është e çmuar nga ne, e çmojmë të gjithë sepse kemi respekt dhe sot i kam prit në takim që ka qenë reflektues për përgjegjësit që ka Qeveria ndaj ansamblit dhe sfidat që ka. Jam i bindur që Kosova është me fat që ka një ansambël që është aq lart në vlera të artit dhe të kulturës dhe janë të mrekullueshëm”, tha Haradinaj.
Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, Shefqet Gjocaj tha se institucioni që drejton ku do që shkojnë mundohet të jenë ambasadorët më të mirë të vendit.
“Jem ndier mirë me këtë pritje sepse ne si institucion i kulturës kudo që shkojmë pretendojmë të jemi ambasadorët më të mirë të shtetit tonë dhe besoj se ne japim maksimumin me e bë këtë, çdo përkujdesje e shtetit ndaj nesh neve përveç që e ndjejmë si obligim, por edhe na prek për mënyrën e pritjes për qasjen diskutimin që patëm për sfida probleme qe kemi ne si institucion i kulturës”.
“Ne u njoftuam dhe jemi të bindur që informatat që kryeministri i ka të duhura për aktivitetet dhe sfidat qe kemi dhe besojmë që kjo vizite na jep një shpresë më shumë që trajtim i institucioneve të kulturës dhe artit ne përgjithësi do jenë edhe ne nivel më të lartë me kujdes të shtetit pasi që shteti është nëna sikur se nëna të refuzon ose të ledhaton ne ndjehemi sot të ledhatuar dhe mirë dhe falënderoj kryeministrin për këtë pritje”, tha ai.
Gjocaj në shenjë respekti i dha një simbol kryeministrit nga perfromnaca e fundit të premierës “Kumt”, që ka bërë ansambli ku ishte i ftuar edhe kryeministri por ky i fundit nuk kishte qenë i pranishëm pasi që ka qenë në vizitë zyrtarë jashtë vendit.
“Shota” ka performuar pranë sheshit “Skënderbeu” me këngë e valle, raporton Ekonomia Online. Njëri prej valltarëve të këtij ansambli në kokë mbante përkrenaren e Skënderbeut, duke portretizuar heroin.
Viti 2018 është shpallur si “Vit mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”. Për nderë të 550 vjetorit të vdekjes së heroit, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” ka sjellë premierën e re “Kumt”.