Me rastin e shënimit të 19-vjetorit të masakrës së Qyshkut, në akademinë përkujtimore kryeministri, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të dënohen kryesit e krimeve në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-99. Këtë kërkesë ai e pati si për drejtësinë vendore, por edhe ajo ndërkombëtare.
Haradinaj teksa ka bërë homazhe pranë lapidarit të dëshmorëve tha krimet e kryera të Kosovë nga forcat serbe janë ndër më të mëdhatë që kanë ndodhur pas luftës së Dytë Botërore në Evropë, raporton Ekonomia Online.
“Jemi në Qyshk, është njëjta prej ngjarjeve dhe dhimbjeve ma të mëdha të kohës së luftës pra një masakër e plotë civilëve të pafajshëm te pambrojtur e vërteta është që kemi plot vende ku pushojnë qindra qytetarë të pafajshëm të pambrojtur pra të asaj kohë të paarmatosur”.
“Kjo dëshmon për rrugën e vështirë deri në liri njëkohësisht për dhimbjen e madhe por është edhe një porosi për drejtësisë si vendore si ndërkombëtare që të vendos që drejtësia pra të dënohen kryesit e këtyre krimeve ndër ma të mëdha që kanë ndodhur pas luftës së Dytë Botërore në Evropë”.
Kryeministri Haradinaj ka vazhduar me homazhe në fshatin Pavlan, Zahaq e Llabjan të Komunës së Pejës, raporton EO.
Ardian Kelmendi, i mbijetuar i masakrës në Qyshk , kujtoi ditën e 14 majit, në të cilën në këtë fshat u masakruan, vranë rreth 44 persona.
Kelmendi tha se ndonëse kanë dëshmuar në gjykata, nuk janë të kënaqur me atë që është bërë.
Ai madje kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian, pasi siç tha, si banorë nuk kemi fuqi më të madhe.
“Na kem qenë civilë, ushtria me gjithë ato forcat hynë dhe bënë tërë këtë tmerr, vranë, djegën, plaçkitën, të gjitha të zezat janë bërë”, tha Kelmendi për EO.
“ Unë kam marrë pjesë edhe në dëshmi , si dëshmitarët…na atë kontributin tonë e kem dhënë por nuk është i kënaqur për familjarët”.
“Kërkesa jonë është në mënyrë direkte shteti ose Bashkimi Evropian na nuk kem fuqi më të mëdha si banorë. Përderisa është bërë tërë kjo vrasje dhe dënohet me dy vjet, me një vjet, nuk e dimë a mbahet në burg, dënohet në shtet të vetin, çka me bo na”, përfundoi ai.
Në fshatrat Qyshk, Zahaq, Llabjan e Pavlan nga forcat serbe janë vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë, në mesin e të cilëve kishte edhe banorë të zhvendosur nga fshatrat Vranoc, Raushiq, Batushë, Graboc e Zllapek, që strehoheshin në këto fshatra.