Masakrat dhe krimet që u bënë në Kosovë, po mohohen nga ana e Serbisë. Kjo nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Kështu është shprehur, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në akademinë përkujtimore me rastin e 74-vjetorit të Masakrës së Tivarit, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të Ballkanit drejtuar shqiptarë. Ai tha se duhet të punohet në zbardhjen e fatit të atyre personave që ende nuk është dhënë përgjigje se pse u vranë.
“Në këtë masakër nën ndikimin e gjenocidit serb u masakruan mbi 13 mijë e 335 shqiptarë një pjesë e së cilëve u vranë dhe u varrosen në varreza masive. Pse duhet të shënuar kjo ditë tragjike dhe pse duhet të nxjerrim në dritë të vërtetën? Sepse ky makabër i mohuar gjatë dhe këta njerëz dhe pasardhësit e tyre nuk kanë marrë përgjigje se pse u vranë. Dhe sot ne kur i kujtojmë masakrat e fundit të serbëve në të njëjtin mënyre po mohohen krimet edhe nga shteti i sotëm serb. Kjo nuk i kontribuon normalizimit. Djemtë e burrat tonë që u masakruan në Tivar edhe sot nuk nderohen dhe nuk janë zhvendosur në vend edhe pse kanë kaluar 74 vjet. Pa ndëshkimin e atyre që i bënë këto, ato mund të përsëriten edhe kjo është detyrë e shtetit të Kosovës. Masakra e Tivarit e është një nga faqet me te errëta të Ballkanit drejtuar shqiptarëve dhe të gjitha palët duhet të veprojnë për zbardhjen e saj”, tha Haradinaj.
Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha se Masakra e Tivarit është njëra ndër tragjeditë më të madha dhe më të rënda për popullin tonë. Ai tha se kjo masakër tregon se si një padrejtësi e vjetër u zëvendësua me një të re.
“Të përkujtojmë masakrën e Tivarit e cila edhe një nga tragjeditë me të mëdha. Jemi kthyer para shumë viteve. Është njëra nga tragjeditë e rënda të popullit tonë por ka qenë edhe njëra me e madhe e Ballkanit e cila synonte dhe ka pas për qëllim luftën. Nuk ka qenë një ngjarje e izoluar por ka qenë vazhdimësi e krimeve serbe në Kosovë, edhe para kësaj masakre. Por edhe e asaj që ka ndodhur në vitet e 90 të spastrimit etnik. Kjo ngjarje ka edhe dimension politik e cila është se sikur çdo populli i Ballkanit edhe shqiptarët kanë qenë në rrugë të drejtë të historisë dhe kallëzon kontribut të madh për çlirimin e vendit. Masakra e Tivarit tregon se si një padrejtësi e vjetër po zëvendësohej me një të re. Në vitet e fundit ka pas historianë që kanë trajtuar këtë ngjarje me tersi të saj”, u shpreh Hoxhaj, raporton EO.
Ndërsa, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë “Ali Hadri”, tha se Masakra e Tivarit nuk ishte një incident, por kishte qëllime të qarta.
“Masakra e Tivarit nuk ishte një incident, kishte qartazi qëllimin. E vetmja mënyrë për t’u përballur me shqiptarët ishte të veprohet me brutalitet. Ende nuk është hedhur dritë ndaj kësaj ngjarje, nuk janë identifikuar as viktimat”, tha Syla.
Kjo akademi u organizua nën patronazhin e presidentit te Kosovës, Hashim Thaçi.
Masakra e Tivarit është e njohur si tragjedia më e madhe për të cilën ende nuk kanë dalë në dritë të gjitha faktet. Në kwtw masakër u vranë dhe u varrosën masivisht disa mijëra djem të Kosovës.