Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u mbajt Akademi Përkujtimore me rastin e 29-vjetorit të vrasjes së heroit, Enver Hadri, raporton Ekonomia Online.
Pjesë e kësaj ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.
Haradinaj heroin Hadri e konsideroi si një mishërim të fatit të shqiptarëve përgjatë dy shekujve.
“Është në nderin tonë sot të kujtojmë Enver Hadrin. Ai është mishërim i fatit të shqiptarit përgjatë dy shekujve. Ne jemi dëshmitarë të tregimeve të tmerrshme për Muhaxherët. Enveri e dinte mirë që nuk kishin pushuar synimet e Serbisë dhe ai u vu në shërbim të mbrojtjes së popullit të tij”, ka thnënë Haradinaj.
Sipas tij, Hadri është një shembull shumë i mirë që historia e fatit të shqiptarëve të mos përsëritet.
“Sot 20 vjet pas çlirimit kur po hymë në dekadën e dytë të Pavarësisë, dialogu u shndërruar në disa qarqe të Serbisë, prandaj sot nevojitet shembulli i Enver Hadrit që të mos përsëritet historia”, tha ai.
Haradinaj edhe njëherë para të pranishmëve përsëriti se Kosova nuk jep tokë për njohje.
“Kosova nuk jep tokë për njohje edhe nëse ky është çmimi Kosova nuk ka nevojë për njohje të tillë nga Serbia. Burrat si Enver Hadri e kanë sjellë Kosovën këtu ku është dhe ia kemi borxh ne shqiptarët që të mos lejojmë një Toplicë të dytë”, tha Haradinaj, raporton EO.
Nediha Hadri, motra e Enver Hadrit tha se sikur ai të ishte gjallë do i gëzohej shumë Pavarësisë që po e gëzojmë sot.
“Vëllai ka qenë gëzimi i shtëpisë. Prezenca e tij ishte një dritë, forcë dhe shtytje. Na mungon prezenca e tij mua dhe familjes dhe besoj që sikur të ishte do ishte i lumtur për këtë pavarësi që e gëzojmë sot”, tha ajo.
Veprimtari letrar, Reshat Sahitaj, tregoi për veprimtarinë e Enver Hadrit ku foli për arrestimin e tij gjatë kohës kur ai ishte shpërngulur në Bruksel.
“Grupit të Enveri, UDB-a i bie më gjurmë dhe e arrestojmë ndërsa Enveri arrin të ikë në Bruksel ku gjyqi i asaj kohe e ndalon atë me 7 vite burgim. Enver Hadri në vitin 1981 themeloi Komitetin Kombëtar për Evropë ndërsa më 1983 themeloi komitetin për të drejtat e njeriut”, tha ai.