Haradinaj: Në Evropë do të dërgojmë qytetarë të ndershëm e jo kriminelë

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 09:14 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbledhur në takim krerët e institucioneve të sigurisë, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj tha se pas liberalizimit qëllimi i Kosovës nuk është të dërgojë kriminelë në Evropë, por njerëz të ndershëm. Derisa tha se është ulur numri i azilkërkueseve.

“Meqenëse temat si rastet e shënjestruara dhe migrimi ilegal si të tilla janë me rendësi sot jemi mbledhur në takimin e radhës që në finalen ton për  liberalizim. BE-ja të sigurohet që nuk do të ketë azil. Nga viti 2015 kemi rënie të azil kërkueseve mbi 95%”.

“Qytetarët tanë duhet ta dinë që e ardhmja është në vendin tonë. Kosova do të dërgojë në Evropë qytetarë të ndershëm e jo kriminelë”.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, të dhënat tregojnë se rënia e numrit të azilkërkuesve nga Kosova në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vijnë si rezultat i kontrollit efikas të kufijve, ndjekja ndaj kontrabandës dhe trafikimit me qenie njerëzore dhe bashkëpunimit rajonal.

Arritje kanë shënuar edhe politikat dhe riintegrimi të personave të riatdhesuar në Kosovë. Kosova ka Strategjinë e riintegrimit të personave të riatdhesuar dhe nga viti 2015 kanë përfituar më se 15 mijë persona nga skemat e riintegrimit.

Në këtë takim, po ashtu është biseduar edhe për rastet e shënjestruara, për të cilat është thënë se janë shënuar rezultate, por kërkohet që edhe më tutje të ketë një dinamikë të shtuar dhe të shënohen rezultate pozitive në zgjidhjen e lëndëve të grumbulluara dhe të shënjestruara.

Përfaqësuesit institucionalë shprehën gatishmërinë dhe zotimet e tyre që rastet e shënjestruara të kenë prioritet dhe të zgjidhen brenda afateve të parapara.

Të arriturat institucionale në këtë takim i paraqitën edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.

Institucionet e Kosovës morën mbështetjen dhe inkurajimin për të vazhduar punën edhe nga e ngarkuara me Punë në Misionin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, Colleen Hyland,  Shefja e Misionit të BE-së Nataliya Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulos, derisa pjesë e takimit ishte edhe Shefja e Misionit të USAID-it Lisa Magno.

 

Të ngjashme