Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, gjatë vizitave që po bën nëpër komunat e Kosovës, ka vërejtur se kryetarët e kaluar, para se ta përfundonin mandatin, i kanë futur komunat në obligime financiare pa mbulesë.
Haradinaj vizitoi sot Komunën e Ferizajt, ku u prit nga kryetari i Komunës, Agim Aliu, raporton Ekonomia Online.
“Jemi në një ditë pune në Ferizaj. Biseduam me kryetarin për të gjitha projektet që janë në kapacitet të Komunës, dhe obligimet që kryetarët e kaluar kanë hyrë në të kaluarën. Si pasojë e kësaj, është një gjendje e rëndë në relacionet Komunë-operatorë”, tha Haradinaj, në një paraqitje për gazetarët.
“Mora vesh se një gjendje e tillë është edhe në shumë komuna. Kryetarët e kaluar i kanë zotuar ta zëmë 10 mijë euro e kanë hyrë në projekte deri në 5 milionë euro”, tha Haradinaj.
Ai paralajmëroi që Qeveria do ta bëjë një plan që t’i “shkarkojë” komunat nga borxhet. “Qeveria do të rishikojë mundësinë që t’ju ndihmojë rreth këtyre borxheve në mënyrë që të mos ngecë implementimi i projekteve komunale… Që të mos jenë në presion nga këto obligime”.
Shefi i Ekzekutivit tha se Komuna e Ferizajt ka një buxhet gogja të madh: 29 milionë nga niveli nacional, si dhe 10 milionë shtesë, për projekte si ai për impiantin e ujërave të zeza.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, tha se në takim me kryeministrin e Qeverisë adresuan sfidat me të cilat përballet Komuna. “Pikërisht me fillim te mandatit tim ka ardhur jo vetëm për të më uruar, por edhe të dëshmojë që do të mbështesë Komunën e Ferizajt në të gjitha projektet që ne do t’i paraqesim para Qeverisë”.
“Dua ta falënderoj kryeministrin që është bërë pjesë e angazhimeve të Komunës. Ne folëm edhe për sfidat e qeverisjes lokale, sfida që nuk janë të pakta, sepse kemi trashëguar një gjendje jo të mirë financiare. Por sigurisht që pas kërkesës që i bëmë kryeministrit, presim të mos kemi shembuj të tillë dhe të ketë qëndrueshmëri të projekteve”.
Aliu tha se Ferizaj, si qyteti i dytë me fuqinë ekonomike në vend, i ka dhënë shumë buxhetit të Kosovës, prandaj edhe pret që kërkesat drejtuar Qeverisë të trajtohen drejt.
Kryeministri është takuar edhe me këshilltarët komunalë, si dhe do të vizitojë taksapaguesin më të madh nga Ferizaj, kompaninë “HIB Petrol”.