Kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë një Junik se Qeveria e drejtuar nga ai do t’iu jap zgjidhje halleve dhe problemeve të qytetarëve.
“Do të punojmë bashkë, do të krijojmë kushtet më të mira dhe sigurojmë mbështetje të vazhdueshme për sipërmarrësit – bizneset e vogla dhe të mesme në vend, sepse vetëm kjo qasje mund të rezultojë me hapjen e vendeve të reja të punës”, ka thënë Haradinaj, para junikasve.
Sipas tij, krijimi i një qëndrueshmërie dhe besimi në shtetin ligjor, do t’ua lehtësojë punën sipërmarrësve vendorë dhe njëkohësisht krijon mundësinë reale për investimet e Diasporës në Kosovë.
“Jemi më se të bindur se kjo agjendë zhvillimore do të mund të tërheq edhe investime të huaja, kredibile dhe afatgjate në vendin tonë”, ka thënë më tutje Haradinaj.
“Jemi bërë bashkë edhe për një shtet të së drejtës dhe për një zhvillim të hovshëm ekonomik. Kosova nuk guxon të mbetet e fundit në rajon! Këtë ia kemi borxh të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes sonë”.
Kreu i Aleancës ka porositur junikasit që t’iu flasin dhe thonë familjarëve dhe miqve të tyre se vota e tyre më 11 qershor vlen shumë.
“Kjo votë është shumë më shumë – është një vendim për të ardhmen e Kosovës”.