Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Lipjan ka mbajtur tubim të madh elektoral me anëtarët, simpatizantët dhe qytetarët e Lipjanit.
Kryeministri i Kosovës dhe kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Lipjani e ka për nder ta ketë kryetar Fitim Selimin. “Ai është njeri humanist, profesionist i dëshmuar, njeri i vlerave të larta kombëtare dhe intelektuale, virtyte këto të cilat e bëjnë Dr. Fitimin të jetë i përkrahur nga njerëzit kudo”, u shpreh Haradinaj.
Kreu i Qeverisë foli për pjesë të programit të kandidatit të AAK-së dhe i premtoi përkrahje.
“Planet e tij janë me i përmbyllë çështjet e infrastrukturës, ta rrisë buxhetin për bujqësi, shëndetësi 24 orë, përkrahje të studentëve me bursa, të jetë afër kategorive me nevoja. Dhe unë do t’i jap përkrahjen këtij kryetari”, u shpreh ai.
“Votojeni për vete një kryetar komune që prej mëngjesi e deri mbrëmje vrapon që t’i mbarojë punët dhe që buxhetin nuk e çon dëm, por e çon ku duhet”, theksoi Haradinaj.
E kandidati për kryetar të Lipjanit, Fitim Selimi, tha se ndryshimi ne Kosovë ka filluar me marrjen e drejtimit të Qeverisë nga Ramush Haradinaj, ndërsa ky ndryshim do të vazhdojë me Lipjanin dhe komunat e tjera.
“Lipjani ka dhënë gjithçka për themelet e lirisë, gjithmonë ka dëshmuar identitet. Premtoj menaxhim të përshtatshëm për këtë komunë, jetë të qetë e të sigurt dhe mjedis të pastër; trajtim të barabartë për fëmijët, shëndetësi të barabartë, arsim me kritere, zhvillim ekonomik, punësim, zhvillim të kulturës për rininë tonë, shërbime publike efikase”, tha Selimi.
Në këtë tubim u prezantuan edhe kandidatët për Kuvendin Komunal të Lipjanit.