Haradinaj në Mejë, ky vend dëshmon se duam t’iu takojmë popujve të lirë

Gjakovë | 27 Pri 2018 | 13:27 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor në përvjetorin e masakrës së Mejës, ku ka bërë homazhe në nderim të viktimave në Kompleksin Memorial.

Kryeministri ka kërkuar kujdes për varret e të rënëve, ndërsa theksoi se dhimbja duhet të kthehet në dritë dhe t’i tregohet botës rruga e Kosovës  deri në liri, raporton Ekonomia Online.

Edhe në këtë vend, Haradinaj foli për vonesën e padrejtë të liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Ne jemi në nisje dhe nisjet janë të rënda, por ne nuk lëkundemi në përcaktimin tonë euroatlantik”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se Evropa nuk duhet të vonohet për ta pranuar edhe Kosovën në familjen e saj. “Kosova është bërë shtet vonë, por ekziston mijëra vjet më parë”, u shpreh ai.

Kryeministri Haradinaj tha se Kosova duhet të njihet nga vendet që ende s’e kanë njohur dhe nga fqinjët e saj, të anëtarësohet në BE, NATO dhe OKB.

Kryeministri, po ashtu, tha se duhet synuar krijimin e një shoqërie me vlerë të re, në ekonomi, arsim dhe shumë fushat e tjera.

“Kosova e ka fatin e madh dhe ky vend e dëshmon që ne dëshirojmë t’i takojmë popujve të lirë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ne kosovarët janë rreshtuar për t’i takuar botës së mençur dhe popujve euroatlantikë.

Kryeministri më tutje theksoi se popujt e lirë kanë ditur të vendosin demokraci të mirëfilltë dhe respektuar të drejtat e njeriut.

Në Mejë të Gjakovës, sot u përkujtuan 376 persona të vrarë nga forcat serbe 19 vite më parë më 27 prill të vitit 1999.

Për t’i përkujtuar të gjithë ata që u vranë në Mejë, u mblodhën qytetarë të shumtë në vendin “Lëndina e Pikëllimit”.

Haradinaj i premtoi që së shpeti kompleksi memorial do të përfundoj në mënyrë që të rënët e luftës të kenë vendin ku prehen dinjitetshëm.

“Varret e të rënëve për liri, martirë, dëshmorë apo heronj janë nderi ynë nëse edhe këtu turpërohemi, nuk e bëjmë si i ka hije, ‘kuku’ për ne. Duhet me i ardhë marre gjithkujt nëse një varr i martirit nuk është punuar siç duhet. Nëse edhe këtu na shkon fytyra nuk di më”, shtoi Haradinaj.

“Nuk e ka Kosova atë gjendje as ndjenjë e as nder që me u turpërua në varret e të rënëve ne kemi me punuar që ky kompleks që është nderi i shqiptarëve do të na nderon edhe në mënyrën se si do t’i tregojmë botës sakrificën dhe çmimin e lirisë që e kemi këtu”, tha Haradinaj.

 

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se si çdo vit edhe ketë herë e gjithë Kosova është mbledhur në Mejë për të kërkuar drejtësi dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve të mbi 1600 të zhdukurve.

“Për çdo 27 prill e gjithë Kosova mblidhet këtu, këtu për një ditë të vetme pushtuesi serb vrau shumë persona për pak orë, vëllezërit dhe motrat tona që u vranë ishin të moshave të ndryshme të rijnë, pleq, gra, burra mysliman e krishterë por të gjithë ishin shqiptarë dhe pushtueseve kjo nuk i interesonte as feja e mosha”, tha Gjini.

“Punët për ndërtim të memorialit po vazhdojnë, sivjet është pak ma mirë se sa vitet e kaluara, por punët nuk kanë përfunduar dhe besojmë fuqishëm në institucionet e Republikës së Kosovës dhe në qeveri do të bëjmë të pamundur që 20 vjetorin kur ta përkujtojmë ky memorial të jetë i përfunduar dhe fati i të pagjeturve të zbulohet”, shtoi Gjini.

Ndërsa, Ahmet Grajqevci nga këshilli i familjarëve të Kosovës kërkoi drejtësi për familjarët e të pagjeturve dhe kërkoi më shumë punë në rastin e zbardhjes së rasteve të të pagjeturve, raporton EO.

“Me ngulm kërkojmë që të zbatohet rezoluta e Kuvendit të Kosovës për çështjet e të zhdukurve, familjarët kërkojnë drejtësi dhe të vërtetën dhe ne kërkojmë që institucionet e Kosovës të përdorin gjithë mekanizmat në dispozicion duke përdorur miqësinë me vendet e tjera qe të zbulojmë fatin e të zhdukurve tanë”, tha Grajqevci.

Në përvjetorin e masakrës së Mejës pati edhe disa familjarë të revoltuar të cilët kërkuan nga Haradinaj më shumë punë për qytetarët kosovarë dhe më shumë pune dhe kujdes për varret e të rënëve dhe dëshmorëve tanë.

 

Të ngjashme