Oda Amerikane e Kosovës (OAK) sot priti në takim kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Aty Haradinaj i rrethuar nga bordi drejtues i Odës Amerikane, tha se këtë vit Kosova është përballë me një situatë të mirë të ekonomisë në vend, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj aty kërkoi edhe ndihmën e Odës Amerikanë për bashkëpunim më të gjerë.
“E vërteta është që këtë vit ne kemi ekonomi. Për fat të mirë disa punë të aspektit legjislativ janë kry, infrastruktura e rendit dhe ligjit. Avancimi në rend dhe ligj është proces i vazhdueshëm nuk ndalet. Ne e kemi synimin të fokusohemi në ekonominë e vendit. Do të punojmë që të shkurtohet koha mes palëve. Jemi të hapur të bisedojmë edhe për ambientin ligjit së bashku me ju”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se pagesa e TVSH-së së shpejti duhet të bëhet në vend e jo në kufi.
“Ne e kemi kodin e ankesave me u kthy në ATK pastaj pagesa e TVSh të bëhet brenda vendit e jo në kufi. Gjitha këto do i vazhdojmë bashkë. Por, një situatë që dëshirojmë ta cekim është rreth investimeve strategjike. Ne i kemi disa operatorë të mëdhenj që operojnë në Kosovë dhe jemi të interesuar që në këtë kornizë të i japim një frymë investimeve amerikane që janë të përbashkëta. Kërkojmë ndihmën e juaj që të punojmë bashkë. Në sistem publik është marrë një vendim, por nuk ka ndodhë rezultati”, tha ai.
Haradinaj premtoi se së shpejti do nxirret edhe ligji për pagat i cili sipas tij prapë do t’i ketë defektet e tij.
“Te pagat s’ka pasë ligj të pagave, së shpejti do ta kemi një ligj i cili prapë do i ketë defektet e saj”, tha ai, raporton EO.
Haradinaj në takim përmendi edhe gjendjen në Telekom e cila sipas tij është jo profitabile dhe kërkon një zgjidhje të shpejtë.
“Gjendja në Telekom është një gjendje jo profitabile dhe na duhet ta marrim një vendim se në çfarë procesi mendojmë ta nxjerrim Telekomin. Do jemi afër ta marrim një orientim lidhur me këtë çështje”, tha ai.
Drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka thënë se qëllimi i takimit është diskutimi lidhur me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.
Zeka shpreson që viti 2019 do të jetë me prioritet ashtu siç është paralajmëruar nga kryeministri, një vit i zhvillimit ekonomik.
E, presidenti i Bordit të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi gjatë takimit me të parin e Qeverisë, tha se ata janë të kënaqur me bashkëpunimin e tyre me Qeverinë e Kosovës. Ai tha se Oda Amerikane e inkurajon Qeverinë që të vazhdojë me reformat fiskale.
“Është takimi i parë që e kemi këtë vit. Ne si Odë Amerikane e kemi potencuar publikisht që jemi të hapur për një dialog të hapur së bashku me institucionet. Gjatë vitit të kaluar ne kemi bërë disa deklarata publike. Ne inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë me reformat fiskale, por reformat nuk janë të mjaftueshme asnjëherë. Një sfidë që kemi parë është fuqizimi i rendit të ligjit”, tha ai.