Është mbajtur ceremonia solemne e hapjes së punimeve të Seminarit XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili do t’i zhvillojë punimet deri më 31 gusht.
I pranishëm ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u ndje i nderuar si pjesëmarrës në hapjen e këtij seminari, raporton Ekonomia Online.
“Është nder që të them pak fjalë për seminarin e 37 të shqipes në Kosovë”.
“Në kohërat e errëta të jetës sonë një dritë është shkepur prej këtu në botë, jo vetëm nga ne, por nga ata që kanë ardhur që njihen nga së afërmi dhe ta transmetojnë shqipen atje”.
“Jemi vlerë universale, i takojmë këtij globi. Gjuha jonë është një gjuhë e hershme dhe e pasur dhe si e tillë e meriton që ta njohin sa më shumë”.
Haradinaj tha se qeveria duhet gjithmonë ta përkrahë Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
“Qeveria e vendit jo vetëm tash, por çdo herë duhet t’i japë përkrahje seminarit që shqipja dhe shqiptarët të njihen për së afërmi nga studiues në mbarë botën”.
Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se për të është kënaqësi që ky seminar mbetet forum gjithëpërfshirës i studimit shkencor, raporton EO.
“Kam kënaqësinë e papërshkrueshme që edhe pas 36 edicioneve të mbajtura të këtij seminari, prapë mbetemi forumi më gjithëpërfshirës i studimit shkencor dhe i mësimit të gjuhës, letërsisë dhe i kulturës shqiptare në botë”.
Dekanja Rugova ka folur edhe për historikun e këtij seminari dhe tha se ky seminar është avancim i dijes.
“Ky seminar është një rrugëtim i avancimit të dijes dhe kërkim i promovimit të vlerave tona në botë dhe një tubimi i lartë në botë që ka arritur të shndërrohet një institucion i rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe kulturës”.
“Falë seminaristëve tanë, dhjetëra studentë janë pjesë e programeve të universiteteve në botë”.
Ky seminar vazhdon të jetë bashkëpunim në mes të institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës, prandaj pjesëmarrëse në hapjen e këtij seminari ishte gjithashtu ministrja e Arsimit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.
“Ju keni treguar në gjithë këtë udhëtim se përmes hulumtimeve se si një popull duhet të nxjerrë në pah të gjitha shenjat dhe burimet e veta shpirtërore për atë çka jemi si në gjuhë, në kulturë, folklor, letërsi e antropologji”, tha ministrja Nikolla.
“Komuniteti i kërkuesve në këtë fushë nuk është i vogël dhe nuk janë vetëm shqiptarë, por edhe studiues nga vendet e huaja të botës dhe se interesi nuk është vetëm shqiptar, por edhe ndërkombëtar”.
“Nga viti 2018 edhe Universiteti i Bolonjës mundëson që gjuhën shqipe ta ketë pjesë të ofertës së saj akademike të studiuesve të gjuhës, qoftë baçelor apo master”.
Drejtor i këtij seminari, Rrahman Paçarizi, tha se ky seminar është ambasadori i parë dhe më i suksesshëm i Kosovës, raporton EO.
“Seminari sivjet ka mbushur 44 vjet dhe ka përmbushur objektivat e tij që nga themelimi. Ai është ambasadori i parë më i suksesshëm i Kosovës, pasi që në të kaluan të gjithë studuesit seriozë të Albanologjisë, të cilët hapën katedrat shqipe në universitetet anembanë botës dhe vazhdojnë bashkëpunimin me këto institucione”.
“Është e vështirë të mbartet mbi supe një traditë 44-vjeçare e seminarit që kultivohet shqipja në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar”, shtoi Paçarizi.
“Ai në fund falënderoi Rektoratin e Universitetit të Prishtinës për mbështetjen e këtij seminari”.
I pranishëm ishte edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Sabri Lajçi, i cili falënderoi dhe përgëzoi studentët dhe organizatorët e këtij seminari.