Haradinaj në Tiranë: Nuk besoj që Thaçi ka një plan tradhtie, por Serbia qe 20 vjet investon të hapet çështja e kufijve

Tiranë | 16 Tet 2018 | 18:39 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një ligjërate në Universitetin Evropian të Tiranës, tha se po vazhdon puna për forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimit të ekonomisë, duke demantuar tezat dashakeqe se Kosova nuk mund të jetë e vetëqëndrueshme, raporton Ekonomia Online.

“Në Kosovë jemi në një etapë kur e kemi parë se ku do të mbërrijmë. Jetojmë dhe shohim se ku duhet të jemi, por nuk e kemi mbërritur ende. Jemi të ndikuar me plot ndikime të jashtme. Nëse punojmë për rendin e ligjit, nuk është rend i zakonshëm. Nëse punojmë për një politikë të jashtme, për zhvillim ekonomik ne punojmë kundër një teze se Kosova është e paqëndrueshme, se resurset e saj nuk janë të gjenerueshme nga këta njerëz”, është shprehur Haradinaj para të pranishmëve.

“Kam marrë qeverinë me një parim, nuk do të kritikoj pararendësit e mi. Në disa qendra vendimmarrëse në kombin tonë e kemi kthyer një besim të caktuar. P.sh në Washington në linjat e sigurisë na besojnë, e dinë që jemi të vendosur që të mbërrijmë ku duam.”

“Edhe në Evropë, sfidë ka qenë Berlini për ne. Berlini është përballur me ne si politikë të paqëndrueshme, por kjo është kthy falë punës që është bërë. Duhet të përmbyllët shtetbërja e Kosovës, vetëm atëherë mund të shtrojmë pyetjet tjera, se a dëshirojmë te jetojmë të ndarë apo të bashkuar.”

Haradinaj sërish ka përsëritur se ndryshimi i kufijve e kthen Kosovën para vitit 1999 dhe sipas tij kjo është e rrezikshme, raporton EO.

“Më përmbylljen e luftës më 1999 janë vendosur disa themele. I pari ka qenë respektimi i zonës së sigurisë 25 kilometërshe sepse ishte vend agresor. Ka vijë ndarëse mes palëve në kontest. Një nga elementet kyçe ishte vija ndarëse, ish kufiri administrativ që u kthy në kufi ndërkombëtar.

Nëse këtë vijë Kosova e hap për diskuton rrezikon te kthehet para vitit 1999, kjo është e rrezikshme. Nuk mund assesi të kthehet në formulë.

Haradinaj ka përmendur me emër gazetarin Baton Haxhiu, një nga figurat e pakta publike, cili ka dalë në përkrahje të idesë së presidentit Thaçi për “korrigjimin e kufirit”.

“Një shumë e caktuar e parave ështe derdhur nga persona të caktuar për të krijuar këtë opinion. Për të na bindur neve se nëse e japim Leshakun, që menaxhohet nga KFOR-i dhe ka resurse. Nëse ne hapim për diskutim këtë zonë rrezikojmë pse jemi shtet, krijojmë një precedent se resurset tona janë për treg. Batonin dhe batonat tjerë ju tregojmë se i marrim vesh këto agjenda dhe kush i financon”.

Haradinaj ka thënë se nuk i ka mbetur rrugë tjetër pos të dërgojë në Bruksel rrobat e 20 mijë grave të dhunuara gjatë luftës nga Serbia, si argument për të njohur Kosovën si shtet.

“Në jemi autokton, e kemi fituar lirinë. Do të bëhet njohja reciproke, Serbia është e detyruar të na njoh. S’mund të japim nga vetja. S’më ka mbetur tjetër pos tua dërgoj në Bruksel 20 mijë te brendshme të grave të dhunuara gjatë luftës, a mjafton kjo që me na njoft ju.”

Haradinaj ka deklauar se presidenti, Hashim Thaçi, s’ka mandat për të diskutuar kufijtë.

“Askush s’ka marrë të drejtën për të folur për territor dhe kufij. E vërteta nuk ndryshon. Nuk lejojmë me nëpërkëmb dikush, apo të mashtrojë”.

Kryeministri Haradinaj shprehë habinë se pse pikërisht në momentin kur Kosova është pranë krijimit të ushtrisë dhe antërësimit në Interpol është hapur çështja e territoreve.

“Po, e qeverisim. Status quoja, ndarja, shkëmbimi nuk janë zgjidhje. Nuk jemi në status-quo, tani për herë të pare bëhemi me Forca të Armatosura kushtetuese. Nëse dikush se vëren këtë dallim, e bën një gabim kardinal. Ne jemi në proces të Interpolit, liberalizimit të vizave. Pse është ky nxitim mi hap territoret. Kush e ka ketë interes. Pse para momentit kur po bëhemi me ushtri, po hapet formulë për territor. Kujt po i dhemb që Kosova po bënë këta hapa”.

Haradinaj ka thënë se ushtria do të formohet në muajin nëntor, pasi tha se tri projektligjet për këtë proces tashmë veç janë në Kuvend.

“Tri ligjet që kemi dërguar në Parlament i japin mandatin e plotë ushtrisë se Kosovës. Nuk quhet ushtri, por Forca e Sigurisë së Kosovës. Afati kur përmbyllet ky proces, mundësia reale është në nëntor, mund të hyjë në dhjetor”.

Haradinaj ka shtuar se Serbia për 20 vite investon që debati për ndryshimin e kufijve të zhvillohet edhe në Kosovë.

Megjithatë, Haradinaj është shprehur se nuk beson që presidenti Thaçi ka ndonjë plan tradhtie, raporton Ekonomia Online.

“Qe 20 vjet Serbia ka investuar në këtë projekt, që ky debat të ndodhë edhe te ne”.

Ai beson se vazhdimi i këtij debati është humbje kohe, i cili sipas tij, u sjellë vetëm trauma nxitësve të tij.

“Nuk mendoj që Thaçi ka ndonjë agjendë tradhtare. E kanë gabim, mund e vazhdojnë me këto biseda por vec kanë me humb para dhe me i shkaktu vetes trauma”.

Para fillimit të ligjëratës, Haradinaj dhe rektori i universitetit, Tonin Gjuraj, kanë zhvilluar një takim.

  

Të ngjashme