Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) mbajti sot në në Pejë Konventën për Komunat e Kosovës, ku është bërë nënshkrimi i Zotimeve ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe 25 kandidatëve për kryetarë të Komunave nga kjo parti.
Gjatë fjalimit të tij, kreu i AAK-së tha se pret që kandidatët e tij pas zgjedhjeve lokale të fillojnë të punojnë dhe të jenë në shërbim të qytetarëve dhe ankesave të tyre.
“Prej jush të nderuar kolegë pres, kur t’i merrni detyrat tuaja, jo ma pak se puna që bëhet në qeveri. Ka ardhur ora e AAK-së dhe s’ka më ankesa dhe ne s’jemi këtu për tu ankuar po për t’i zgjidhur ankesat dhe problemet e qytetarëve. Puna ime si kryeministër lidhet ngushtë me punën tuaj si kryetarë të komunave. Unë dhe ju do t’i dëgjojmë së bashku dhe do t’i zgjidhim ankesat e qytetarëve. Asnjë qytetar nuk do të mbetet i padëgjuar,” ka thënë Haradinaj.
Ai, po ashtu, ka folur edhe për sundimin e ligjit, për arsim dhe për ekonomi e që sipas tij duhet angazhim për përmirësim. Haradinaj, tha se buxheti i shtetit do të rritet çdo ditë, por jo duke rritë taksa, por duke rritë ekonominë. Kryeministri premtoi se do t’i rrisin pagat dhe investimet kapitale në Kosovë.
Ndër temat që ka prekur gjatë fjalimit të tij, Haradinaj ka folur edhe për gjendjen në shëndetësinë e Kosovës, që sipas tij duhet urgjentisht të ndryshojë.
“Nuk guxon të vdes dikush në spitalet e shtetit, sepse nuk ka pare. Askush nuk do të vdes duke pritë në operacion, sepse dikush para tij ka para”, ka thënë Haradinaj.
Ai tutje tha se gjatë qeverisjes së tij do të vazhdojnë punimet në autostradat Prishtinë-Shkup, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan dhe Prizren-Gjakovë.
Ndërkohë, në Deklaratë e Zotimit të nënshkruar ndërmjet kryeministrit Haradinaj dhe kandidatëve, mes tjerash, thuhet:
Në frymën e këtij zotimi deklaroj se:
• Do të bëj një garë të pastër dhe demokratike;
• Do të përfaqësoj drejt dhe barabartë të gjithë qytetarët;
• Do të qeveris në pëputhje të plotë dhe në përpikëri me ligjet e vendit;
• Do të qeveris mbi parimet e qeverisjes së mirë;
• Do të angazhohem për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik;
• Do të angazhohem që qytetari dhe mirëqenia e tij të jenë në rend të parë.