Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Akademinë Përkujtimore për heroin Mujë Krasniqi – Kapuqi dhe 40 bashkëluftëtarët e tij, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se 20 vjet nga vdekja e Mujë Krasniqit dhe bashkëluftëtarëve të tij, po të njejtën ditë u formua Ushtria e Kosovës. Ai tha se lufta e lavdishme triumfoi 20 vjet më vonë dhe iu kthye ndera Shqipërisë.
“Ne pas asaj ditës së dhimbshme kur 41 të bijve dhe bijave kanë ra për një ditë, për një kohë të shkurtër, për liri, lufta jonë triumfojë dhe 20 më vonë u kthye ditë më ditë u kthye ndera e Shqipërisë, të zgjedhurit e Kuvendit votuan Ushtrinë e Kosovës. Mujë Krasniqi vetë ka marrë vendim për të hyrë në vija të luftës. Jam thellë i bindur se kemi me ecë hapa përpara para miqve tanë, sa herë që të mendojnë ku jemi ne kemi me qenë përpara tyre. Këto fjalë janë me meritë me i fol në ditën e Mujës dhe bashkëluftëtarëve”, tha Haradinaj.
Kryeministri në dorëheqje nga kjo akademi përkujtimore iu kundërpërgjigj Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, në lidhje me mohimin e masakrës së Reçakut.
Haradinaj tha se Vuçiqi nuk mund ta mohojë faktin që këta djem të UÇK-së e përzënë atë dhe kolegët e tij nga Kosova.
“Vuçiqi edhe kolegët e tij Vulini e të tjerë e mohojnë Reçakun, por një gjë s’munden ta mohojnë se djemtë e UÇK-së e kanë përzënë prej Kosove, edhe Milloshin edhe Vuçiqin, këtë s’mundet me mohu se dikur ka qenë këtu ka ndejtë këmbëkryq, e dimë krejt kush ka ndejtë në Grand, le që s’ka me mujt me u kthy më, por ne kemi me u forcu si popull, kush të mundohet me e thy shqiptarin le të mëson pak nga historia”, tha ai, raporton EO.
“Pse nuk mundet, veç merreni shembullin e Mujë Krasniqit, në çdo luftë, çdo ushtri, atë njeri e kishin hek prej frontit, fizikisht ka qenë i paaftë me luftuar, ai ka qenë i plagosur rëndë, ka qenë njeri me qëndrua shtritë në spital, ai vet ka marrë vendim, jo vetëm m e u ngarkuar me armë, por edhe me hy në vija të luftës”, tha Haradinaj.
Në emër të Shoqatës së Familjeve të dëshmorëve foli Xhavit Jashari.
Ai tha se duke kujtuar dëshmorët e kombit për lirinë e Kosovës, i dërgon porosi Gjykatës Speciale se se asnjë drejtësi e njëanshme dhe padrejtësi nuk mund të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve.
” Duke i kujtuar gjakun e dëshmorëve, të komandat Mujë Krasniqit dhe gjakun 41 dëshmorëve që rënë me të në kufirin që ndan tokat shqiptare, duke nderuar 166 dëshmorët të brigadës 113 Mujë Krasniqi, ne nderojmë dhe kujtojmë të gjithë dëshmorëve kombit për lirinë e Kosovës, të drejtën historike të Kosovës, duke nderuar këtë gjak të derdhur ne i dërgojmë porosi Gjykatës Speciale që është krijuar vetëm për ushtarët e UCK-së, se asnjë drejtësi e njëanshme dhe padrejtësi nuk mund të shkelë mbi gjakun e dëshmorëve”, tha ai, raporton EO.
Ushtari i Brigadës 113 “Mujë Krasniqi”, Hysni Shabani, tha Mujë Krasniqi është i përjetësuar përkrah heronjve më të mëdhenj sepse u bë simbol i luftës.
“Mujë Krasniqi ishte ndër figurat më ët ndritshme të UÇK-së, njëri ndër figurat më të çmuara të luftës së UÇK, ishte besnik, i dashur, komunikativ, i guximshëm, bashkëpunues. Ai sot është i përjetësuar përkrah heronjve më të mëdhenj sepse u bë simbol i luftës”.
Ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve, motra e komandant Mujë Krasniqit, Selvete Krasniqi, falënderoi për organizimin e akademisë dhe u zotua se do të jenë çdo herë në shërbim të tokave shqiptare.
“Një gjë u premtojmë të gjithë, çdo kund e ne çdo moment, sa herë të jetë nevoja për këtë vend, do të jemi në shërbim të tokave shqiptare”, tha ajo.
Mujë Krasniqi bashkë me 40 luftëtarë të UÇK-së ranë heroikisht më 14 dhjetor të vitit 1998, në një pritë nga forcat serbe, afër kufirit Kosovë-Shqipëri.