Kryeministri Ramush Haradinaj, në ditën e dytë në këtë detyrë, ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), raporton Ekonomia Online.
Haradinaj ka zhvilluar një takim me drejtorin e përgjithshëm të KEK-ut, Arben Gjukaj, dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje.
Në këtë vizitë, ai ishte i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka; ajo e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj; ministri për Kthim dhe Komunitet, Dalibor Jevtiq etj.
Haradinaj ka paralajmëruar një takim me banorët e Shipitullës e Hades në mbrëmje sa i përket shpronësimeve në këtë pjesë.
“Ndoshta do të rrimë në takim tri ditë, por do të jemi aty deri sa të gjendet një zgjidhje. Meqë është abuzuar me kohë, duhet të përdoren masa direkte. Ne nuk do t’i torturojmë banorët, por do të bëjmë marrëveshje me ta nuk do t’i dëbojmë, por do t’i respektojmë”.
Shefi i Qeverisë ka thënë se nëse në një afat të caktuar nuk gjendet një zgjidhje për banorët e këtij fshati, dikush duhet të japë përgjegjësi, duke filluar nga vetë ai.
Ai tha se nuk guxon që të rrezikohet prodhimi i energjisë dhe se çështja e shpronësimeve është zvarritur pa nevojë.
“Arsyeja pse kemi ardhur në KEK sot është se energjia është interes jetik i çdo vendi, mirëpo edhe situate në KEK nuk është në rregull dhe kur e them këtë nuk është vetëm problem në menaxhim, por edhe rasti i Shipitullës që zgjat me vite diçka tregon, diku është duke ngecur dhe duam të gjejmë ku është kjo ngecje, ku është gabimi, ku është mungesa por nuk mundet që këto tema të zgjasin pa kufi. Kjo është një qeveri e re, do të funksionojë ndryshe. Nëse në afat të caktuar zgjidhja nuk gjendet dikush do të jap llogari, duke filluar prej nesh, unë jap llogari”.
Sa i përket rritjes së pagave për punëtorët e KEK ai ka thënë se kjo duhet të bëhet, por aktualisht është duke u marrë me prodhimin e energjisë.
Pas vizitës në KEK, Haradinaj do të zhvillojë një vizitë edhe në Komunën e Obiliqit.