Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Krushë të Madhe në 19-vjetorin e masakrës së kryer në këtë fshat.
Haradinaj tha se Krusha e Madhe ka dhënë shumë për lirinë e vendit, raporton Ekonomia Online. Sipas tij, edhe pse ka kaluar kohë kjo dhimbje është në mendje e zemrat tona.
“Ne kemi ardhur sot në përvjetor të flijimit të qytetarëve të Krushës së Madhe. Në Krushë është dhimbje e madhe, por s’mund pa i kujtuar edhe shumë vende të tjera që dhimbja është e njëjtë. Mos harroni në tokën e Kosovës janë plot vende që kanë dhimbje. Edhe pse ka kaluar kohë kjo dhimbje është në mendje e zemrat tona”.
Nga këtu ai pati një kërkesë për tre zyrtarë të lartë botëror. Kreu i ekzekutivit ka kërkuar nga presidenti i ShBA-së, Donald Trump, kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May që ta ndihmojnë Kosovën edhe më tutje.
Kryeministri Ramush Haradinaj Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve tha se Kosova nuk ka çfarë t’i japim Serbisë dhe njohja nuk mund të bëhet përmes pazareve politike.
Një varg kritikash ai ka hedhur në drejtim të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
“I kishim thënë presidentit të Amerikës Donald Trump, kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, a bënë me kryer punën e Kosovës sepse ka mbet e pa kryer”.
“Ndërkaq Vuçiqit i themi çliroje popullin tënd mos e mbaj me frikë të kaluarës. Duke kërkuar me marr hala prej Kosovës është gabim, paqja arrihet duke njohur dhimbjen e tjetrit. Ne nuk dimë çka me dhanë më shumë”.
“Është e padrejtë me kërkuar ende më shumë prej Kosovës. Kosova është e interesuar për paqe e jetë të qetë. Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk mundet mu bo me naj pazar tjetër se s’ka çka më. Nuk ka çka jep Kosova më shumë se sa guximin me ec përpara. Ashtu siç kem pas guxim me gjitha këto dhimbje me vazhduar jetën, por jo duke harru”.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se Krusha e Madhe e pagoi shumë shtrenjtë çmimin e lirisë.
“Krusha e Madhe mbetet simbol i qëndresës për liri. Ajo qe një arterie e madhe prej nga hynin e dilnin luftëtarë, ishte një korridor i rëndësishëm prej nga furnizoheshin me armë. Krusha u dëshmua në rrugëtimin e gjatë për liri. Krusha e Madhe potencialet e shumta njerëzorë ja dedikoi lirisë”, tha ai.
Selami Hoti, kryetar i fshatit, tha se çdo përvjetor i masakrës së Krushës së Madhe sjell dhimbjen e njëjtë për familjarët.
“Në ditën e sotme para 19 bitësh Krusha e Madhe u qua nga terrori serb. Kriminelët serbe me plane e programe ushtarake kishin filluar vrasjet, djegiet e shkatërrimet në fshat. Lufta jonë e pastër bëri që serbet të ikin përgjithmonë e ne ta gëzojmë lirinë. Sot si çdo përvjetor vijmë sot për të përkujtuar masakrën më të madhe të Kosovës. Nga kjo luftë 8 familje ngelen pa meshkuj trashëgimtarë. Ende të pa gjetur i kemi edhe 64”, tha ai.
Ai kërkoi që në dialogun me Serbinë si temë e veçantë të diskutohet për vrasjet e masakrat që u bënë në Kosovë.
19 vite më parë, në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit janë masakruar 243 persona ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore u dogjën.