Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngushëlluar familjen Lladrovci për humbjen e jetës së nënës së heroit, Fehmi Lladrovcit.
Haradinaj të ndjerën Shefkie e ka vlerësuar si një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike, duke i mësuar ata që të sakrifikohen për Atdhe.
Ish-kryeministri tha se Shefkia ia fali Kosovës Fehmiun, një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për kalimin në amshim të Shefkie Lladrovcit, Nënës së Heroit të Kombit, Fehmi Lladrovci. Nëna Shefkie ishte një grua fisnike shqiptare, që fëmijët e saj i brumosi në frymën kombëtare dhe patriotike, duke i mësuar ata që të sakrifikohen për Atdhe. Ajo ia fali Kosovës Fehmiun, një prej komandantëve më të shquar të UÇK-së.
Pusho e qetë bashkë me Fehmiun, Nëna Shefkie!”, ka shkruar ai.