Kryeministri Ramush Haradinaj ka shtruar nevojën, të martën, që t’i jepet fund temës për “korrigjimin” e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithëkëtë, ai ka thënë të mos jetë kundër që procesi i dialogut ndërmjet të dyja vendeve të lehtësohet nga Federica Mogherini, ani se ajo është pro çfarëdo zgjidhjeje për të cilën dakordohen Prishtina e Beogradi, qoftë nëse ajo i prek kufijtë, shkruan sot Koha Ditore.
Kreu i ekzekutivit e ka thënë këtë pas mbledhjes së Qeverisë.
“Unë s’kam vërejtje kush e udhëheq. Unë kam vërejtje në parimet e dialogut. Ne nuk kemi qenë kundër që ta udhëheqë përfaqësuesja e lartë e BE-së, zonja Mogherini, por ajo që kemi qenë kundër është me e deviju dialogun. Në vend që me folë për njohjen, sepse ajo është tema që ka mbetur e pazgjidhur, është kthyer në dialog, në diskutime për kufij dhe territore”, ka thënë kryeministri Haradinaj. “Pra, kjo është vërejtja. Nuk ka të bëjë me personin. Ka të bëjë vetëm me materien. E materia është diskutuar gabim”.
Dialogu i ndërmjetësuar nga Mogherini ndodhet prej muajsh në ngërç. Serbia ka vendosur të mos marrë pjesë në të, për aq kohë sa Qeveria e Kosovës nuk e heq tarifën prej 100 për qind, të vendosur ndaj produkteve me origjinë serbe.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë, të martën, se vija e kuqe e shtetit që përfaqëson është pikërisht kjo taksë.