Kryeministri Ramush Haradinaj ka refuzuar të përgjigjet nëse do të këshillohet nga 35 persona në zyrën e tij.
Kreu i ekzekutivit gjatë vizitës në Odën Ekonomike Amerikane, i ka ikur kësaj pyetje duke thënë se do të përmbushin detyrat e marra, duke iu referuar delegacionit për dialogun me Serbinë, raporton Ekonomia Online
“Do të bie barra që ta përmbushim një detyrë qe e kemi marrë. Ne nuk ia marrim punën delegacionit shtetëror”.
Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë.
Pos kësaj, Haradinaj mund të ketë edhe 9 këshilltarë të tjerë nga radhët e komuniteteve, përfshirë atë malazez dhe kroat, që zyrtarisht nuk njihen si komunitete.
Në total, kryeministri pritet t’i ketë 24 këshilltarë politikë që paguhen nga paratë e taksapaguesve kosovarë.
Me ta, por që nuk paguhen nga buxheti, Haradinaj pritet të ketë afër vetes 35 këshilltarë, kishin raportuar mediet mbrëmë.
Sipas ndryshimit të rregullores për fushat dhe përgjegjësitë e Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, thuhet se zëvendëskryeministri i parë, që tani është Behgjet Pacolli, mund të emërojë deri në 9 këshilltarë politikë.
Ndërkaq, zëvendëskryeministrat pa funksion ministror, Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj, do të kenë afër vetes nga 11 këshilltarë politikë.
Zëvendëskryeministrat që janë edhe ministra, sipas këtij vendimi, mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë.
Kurse, 18 ministrat tjerë kanë të drejtë të emërojnë deri në 6 këshilltarë, që i bie se për ministra do të jenë rreth 130 të tillë.