Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në konferencën dhe ekspozitën e 5-të të përbashkët ballkanike me temë “Sfida e ujit të ndotur”, e cila po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrës nga rajoni i Ballkanit dhe më gjerë.
Kryeministri Haradinaj në konferencë tha se ujërat e përdorura, apo siç i quajmë ujërat e zeza, janë temë për të gjitha shoqëritë në Ballkan, dhe ato më të avancuara në Gjermani e në Zvicër e kanë zgjidhur këtë temë.
“Më vjen mirë që popujt, vendet e respektuara, në këtë rast Gjermania, e kanë kujdes çështjen e ujërave të ndotura në Ballkan dhe në Kosovë dhe me këtë rast falënderoj Gjermaninë për përkrahjen që i jep Kosovës dhe rajonit në këtë temë kaq me rëndësi “, tha kryeministri, duke falënderuar për prezencë edhe ambasadorin, Christian Heldt.
Ai më tej tha se edhe Zvicra është një vend që ka treguar kujdes në shumë sfera në Kosovë e në Ballkan, duke falënderuar për përkrahje për projektet në ujëra të zeza.
“Shkalla e zhvillimit ekonomik, shoqëror kanë ndikuar që të humbet vëmendja në temat që janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Sot, prezenca ime këtu, prezenca e kabinetit qeveritar, vërteton se edhe ne po i japim rëndësi kësaj teme”, tha kryeministri.
Duke ditur se ujërat e zeza në Kosovë dhe në Ballkan derdhen në lumenj dhe në natyrë, kryeministri theksoi rëndësinë që kjo çështje, që është shqetësuese, të trajtohet me urgjencë.
“Edhe pse uji është burim, pra vjen nga natyra, ne i kemi borxh vetës që t’ia kthejmë natyrës ashtu siç e marrim. Nëse nuk ia kthejmë natyrës ashtu siç e marrim ujin, atëherë do të vështirësojmë burimin dhe situatën me ujë. Ky nuk është proces i lehtë dhe është i kushtueshëm, por jemi të interesuar në kapacitetin tonë që t’i kushtojmë seriozitet”, tha kryeministri, duke theksuar problemet që i ka Kosova me mbeturinat të cilat gjenden edhe në lumenj.
Ai shprehu gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që në bashkëpunim edhe me partnerët tjerë, për adresimin dhe zgjidhjen e këtyre problemeve.
Ilir Abdullahu, kryetar i SHUKOS dhe drejtor i Kompanisë Ujësjellësi Rajonal Prishtina, falënderoj të gjithë pjesëmarrësit e kësaj konference, duke theksuar se ajo shënon 5 vjetorin e organizimit dhe vjen si vazhdimësi e një eksperience disa vjeçare bashkëpunimi ndërmjet SHUKOS dhe SHUKALB.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Lebet, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.