Haradinaj: Orët e zbatimit të Ligjit për Trepçën kanë filluar

Mitrovice | 20 Sht 2017 | 14:50 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, së bashku me ministrat Valdrin Lluka dhe Albena Reshitaj, kanë vizituar sot “Trepçën”.

Ata kanë takuar drejtorin e ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, si dhe kanë bashkëbiseduar me minatorët në Stantërg.

Kreu i Qeverisë, Haradinaj, tha se “orët e zbatimit të Ligjit për Trepçën kanë filluar”, raporton Ekonomia Online.

Ai ka theksuar se rëndësia e rimëkëmbjes së “Trepçës” edhe në dimensionin ekonomik është e madhe dhe ka kërkuar përgjegjësi nga të gjithë.

“E mira e Ligjit për Trepçën është se iu jep rol të gjithëve, përmes Bordit Menaxhues i jep rol edhe nivelit nacional. Dhe ajo çka është e mirë, dividentat i kthehen komunitetit”.

“Kemi të bëjmë me një formulë dhe nëse të gjithë marrim përgjegjësinë, i sjellim më të vërtetë Kosovës një storie suksesi. Ne jemi këtu me i kuptu mirë detyrat që na dalin”.

“Ne jemi të interesuar, po ashtu, që të shfrytëzohet kjo mundësi për një integrim më të mirë të kësaj pjese të Kosovës, në mënyrë që të gjithë ta gjejnë vetën këtu”, u shpreh Haradinaj.

“Kuptojeni këtë vizitë si gatishmëri për të filluar me punë, sepse është e patolerueshme me u vonu krijimi i bordit. Jemi në obligim ndaj minatorëve sepse janë disa tema me kategorizimin e pagave stazhin dhe që dëshirojmë të trajtohen me seriozitetin e duhur”, theksoi ai.

Tmava: Ndodhemi në një vakum ligjor

Drejtori i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, ka bërë një përmbledhje të situatës aktuale rreth “Trepçës”.

Ai ka thënë se për fat të keq, Ligji për Trepçën i miratuar në Kuvend nuk ka filluar të zbatohet.

“Ne ndodhemi në një vakum ligjor…Me ligj, Trepça duhet të regjistrohet dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse duhet të bëhet Bordi i cili duhet ta japë një rekomandim për statutin dhe në bazë të kësaj, MZhE-ja duhet ta bëjë regjistrimin”.

“Emëruesi i përbashkët është moszbarimi i ligjit. Shumë me prioritet duhet të zgjidhet Bordi Mbikëqyrës. Bordi e aprovon Strategjinë Zhvillimore dhe e bën statusin e regjistrimit të ndërmarrjes”.

Nga ana tjetër, Tmava ka thënë se në aspektin financiar, ndërmarrja është në situatë të qëndrueshme. ” Viti i kaluar është mbyllur me bilanc pozitiv”.

Për shkak të mungesës së Bordit Menaxhues,Tmava tha se nuk kanë mundur as ta shfrytëzojnë Ligjin për Faljen e Borxheve Publike.

Sipas tij, “Trepça” ka nevojë për një ristrukturim të thellë. Ai ka përmendur si sfida moshën e shtyrë të shumë punëtorëve dhe gjendjen shëndetësore të disa të tjerëve.

“Kemi nevojë për punëtorë të rinj dhe investime …”Kjo nënkupton që njerëzit aktivë t’i funksionalizojmë plotësisht. Për fat të keq kemi punëtorë 64 vjeç, të cilët duhet të trajtohen në mënyrë që obligimet t’i marrim ndaj tyre, pastaj të marrim punëtor të rinj”, tha Tmava.

Të ngjashme