Haradinaj: Pa punën e mësimdhënësve nuk do të ishim këtu

Prishtinë | 07 Mar 2018 | 13:52 | Nga Mehmet Krasniqi

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka organizuar ceremoni festive ku u ka ndarë mirënjohje dhe nga një orë dore pensionistëve të arsimit nga e tërë Kosova, me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe Shkollës Shqipe, raporton Ekonomia Online.

Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai tha se e ndjen që kanë përgjegjësi si Qeveri dhe se do të realizohen të drejtat e mësimdhënësve.

Haradinaj shtoi se nuk ju vjen mirë kur nxënësit kosovarë vlerësohen dobët nga PISA.

“Ndihem sot edhe nxënës edhe prind por edhe kolegë me ju, bashkëndjej me juve. Bashkëndjej me ata që vazhduan rrugën, me ata që dhanë shtëpitë e tyre. Pa punën e juaj nuk do të ishim këta që jemi. E ndjej që kemi përgjegjësi.

Qeveria e Kosovës nuk është e ndarë, nuk është larg jush. Na dhemb ajo që ju dhemb juve, na dhemb infrastruktura, kushtet e fëmijëve. Nuk na vjen mirë kur na vlerësojnë fëmijët dobët PISA ose programe të tjera.

Nuk kemi bërë shkarkim të bordit por duhet me i ndihmu vendit me ecë përpara. Pa u zbatu e drejta juaj, e pensionit e stazhit, ju siguroj se s’do të ndalemi pa e bërë. Pa shkollë të fortë nuk ka popull të fortë, nuk ka shtet të fortë, ekonomi e as ushtri të fortë, sepse vetëm duke pasur shkollën e fortë do të jemi të zotët e vetës.”

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se punëtorët e arsimit kanë mbajtur gjallë edhe ëndrrën për liri.

“Punëtorët e arsimit asnjë here nuk i kanë mbetur borxh atdheut, kanë mbajtur gjallë ëndrrën për liri. Tani kur Kosova frymon lirshëm shtrohet pyetja se a u ka dalë zot shteti këtyre pishtarëve të dijes. Institucinet skane bërë sa duhet për ta”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica u tha mësimdhënësve të pranishëm se ata i mësuan hapat e parë gjeneratës së lirisë.

“Ne jemi këtu ne saje të punës tuaj dhe u jemi mirënjohës për jetë. Uroj që këta punëtor të vyer të arsimit që kaluan sakrifica pëe tiu mësuar gjeneratave alfabetin e gjuhës. Ju i mësuat hapat e parë edhe gjeneratës së lirisë. Sindikatat janë rregullëtori i cilësisë dhe mirëqenies. Ne me detyrat tona, dua të siguroj qe dikasteri yne do të jetë edhe shtëpia juaj. Kemi shumë punë për të bërë.”

Fehmi Hysenaj, shef i kabinetit të MAShT-it, tha se mësuesit kishin dhënë kontribut të drejtpërdrejt në luftën çlirimtare.

“Sot po shënojmë ditë të veçantë dhe po kujtojmë kontributin e mësuesve. Duke qenë se kjo festë lidhet me epopenë. Mësuesit ishin kyqyr ede drejtpërdrejt në luftën çlirimtare. Ministri ka krijuar komisionin. Po punojmë që të kemi kurrikula të standardizuara. Baza e një arsimi cilësior jeni ju mësuses”

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha se punëtorët e arsimit janë hallkë e rëndësishme e strukturës së shtetit.

“Mësimdhënia është profesioni më i cmueshëm. Punonjësit e sistemit arsimor përbëjnë një hallkë të rëndësishme për strukturën e shtetit. Në procesin e edukimit roli i sindikatës është i rëndësishëm. Edhe sot sfidat në arsim janë. Jemi të përkusruar që duke ndryshuar UP-në ta ndryshojmë edhe Kosovën. Të qendrojmë të bashkuar për një arsim sa më cilësor”

Kryetari i komisionit parlamentar për Arsim, Ismajl Kurteshi, tha se në arsim s’ka pasur investime të bollshme dhe se mësimdhënësit kanë kushte të vështira.

“Në arsimin shqip s’ka investime të duhara, edhe sot mësuesit nuk i kanë kushtet si duhet. Veteranëve edhe sot spo i dilet haku si duhet. Sot në shumë shkolla tona mësimi zhvillohet në tri ndërrime.”

 

Të ngjashme