Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po përballet me mundësinë e ekstradimit të tij në Serbi, pasi u ndalua mbrëmë në aeroportin francez.
Haradinaj pritet që sot të dalë para gjykatës në qytetin francez Colmar, ku do të vendoset nëse ai do të mbetet në paraburgim gjatë procesit të ekstradimit ose do të lirohet me masën e mbikqyrjes gjyqësore, konfirmoi zyrtarja e gjykatës, Marie-Helene Calvano.
Calvano tha se gjykata do të vendosë për miratimin e mundshëm të ekstradimit në Serbi, por pa specifikuar kohën.
Haradinaj u ndalua mbrëmë në aeroport në bazë të një fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me aktakuzat për krime lufte.
Pas ndalimit kanë reaguar edhe autoritetet më të larta të Kosovës të cilat e kanë quajtur të paligjshëm ndalimin e tij, si dhe kanë kërkuar menjëherë lirimin.