Qeveria e Kosovës e miratuar programin e saj qeverisës për vitet 2017-2021. Ai është proceduar për në Kuvendin e Kosovës ku duhet të marrë mbështetjen formale.
Gjatë prezantimit të këtij programi para kabinetit, kryeministri Ramush Haradinaj e ka vlerësuar si vizion qeverisës të koalicionit dhe kontribut të resorëve ministrorë.
Ai tha se ky planprogram do të bëjë dallimin nga qeveritë e tjera për atë se sa do të gjejë zbatim, raporton Ekonomia Online.
“Ky program përmbledh në vete objektiva qeverisëse zhvillimore. Për dallim prej qeverive të kaluara kur programet kanë paraparë plot zgjidhje, por ndoshta kanë ngecur në zbatim, unë mbaj shpresë të madhe se kjo qeveri do të bën dallimin edhe me kapacitetin e vet zbatues”, tha Haradinaj.
Sipas kreut të Qeverisë, ky program përmbledh objektivat qeverisës dhe zhvillimor të cilat do t’i zbatojë kjo qeveri brenda këtij mandati qeverisës.
Programi i Qeverisë do të publikohet dhe do bëhet i qasshëm për publikun si dhe do të përcillet në Kuvendin e Kosovës për debat nga deputetet.
Pro këtij programi votuan të gjithë ministrat, me përjashtim të ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikalo, i cili abstenoi.
Rikalo: Disa gjëra në program duhej diskutuar paraprakisht
Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, cili vjen nga Lista Serbe, ka diskutuar sot në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, për programin e saj.
Rikalo ka thënë se e ka studiuar programin, e se si partner qeverisës është dashur që disa gjëra të diskutoheshin paraprakisht. Megjithatë, ka thënë se ato do të diskutohen në Kuvend.
“Program i mirë, ka potencial dhe në princip është diçka që i duhet çdo qytetari. Për kaq sa e kam studiuar këtë material ka detaje që si partner i koalicionit është dashur të diskutohen më herët por sidoqoftë do të diskutojmë në Kuvend”, ka thënë Rikalo.
Kjo është pjesëmarrja e parë në mbledhjen e Qeverisë e Rikalos, i cili së fundi u akuzua nga disa banorë të lagjes “Dardania” në Prishtinë se ka keqtrajtuar shqiptarë, gjatë luftës.
Ministria e Financave parasheh hartimin e 14 projektligjeve
Qeveria, gjithashtu, miratoi programit legjislativ të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2017
Kryeministri Haradinaj ftoi ministrat që të votojnë këtë program, duke sqaruar se ky program mund të plotësohet edhe më vonë.
“Ju ftoj ta aprovojmë këtë program, i cili mund të diskutohet edhe në të ardhmen; të plotësohet apo të ndryshojë përmes kërkesave nga ata që mund të kontribuojnë në këtë program”, tha kreu i Qeverisë.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se programi legjislativ i Ministrisë së Financave parasheh shtimin e 14 projektligjeve.
“Është një program ambicioz. Mirëpo jam shumë i sigurt se si ministri dhe qeveri do t’i procedojmë me kohë”, shtoi ai.
Ministri për Inovacion, Besim Beqaj, tha se ministria që ai drejton do të paraqesë një ligj i cili synon të inkorporojë idetë e reja në ekonomi.