Kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së, pas takimin “për bashkërendimin e agjendës shtetërore të Republikës së Kosovës” mes partive politike, tha se askush nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj shtoi se nuk po sheh ndonjë iniciativë konkrete për mocion mosbesimi ndaj qeverisë që udhëheq.
“Nuk po duket që po do dikush zgjedhje”.
Ai shtoi se në takim ka shprehur qëndrimin e AAK-së dhe se mbesin të hapur për një platformë të dialogut.
Sipas tij, në këtë takim është biseduar dialogu me Serbinë, krijimin e ushtrisë dhe reformën zgjedhore.
“Kam shprehur gatishmërinë që të marrim pjesë në këto tryeza. Ne si AAK mbesim të hapur për një platformë të dialogut. Mbesim që platformën ta përkrahim”.
Takimi u thirr nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së etj.
Në këtë takim nuk ka marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje.
Tryeza e parë në mes subjekteve politike u mbajt më 25 prill. Atë e ishte thirr a Lidhja Demokratike e Kosovës. Takimi kishte për qëllim që partitë politike të arrijnë konsensus lidhur me: temat e rëndësisë nacionale, parimet që duhet ndjekur në adresimin e këtyre temave, pavarësisht kush qeveris, si dhe përgatitjet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe demokratike, për të nxjerrë një qeveri stabile të një shumice.