Kryeministri Ramush Haradinaj, për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, ka zgjedhur që të vizitojë shkollën fillore ”Hasan Prishtina”, në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, i shoqëruar dhe nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, fillimisht u ndalën për nderime te busti i atdhetarit e patriotit Hasan Prishtina.
Më pas, në bashkëbisedim me nxënësit, Haradinaj i porositi ata që të mësojnë e nxënë dijen që ua transmetojnë mësimdhënësit.
“Ta merrni sa më shumë atë dije që u japin profesorët. Çdo porosi e mirë që kish pasë mundësi me u përcjell sot, mund të çohet prej kësaj shkolle shembull”, u shpreh kreu i Qeverisë.
“Përpjekja për t’i edukuar brezat nisi që në Korçën historike, për të vazhduar ndër vite, me qëllimin më njerëzor, dijen”.
“Sot ky mision vazhdon nga mësimdhënësit tanë, kudo ndër trojet shqiptare”, tha mes tjerash Haradinaj.
Ndërsa, ministri Bytyqi tha se imazhi i mësuesit të rikthehet siç ka qenë dikur, raporton EO.
“Profesori më i shenjtë është ai i mësuesit. Në të kaluarën mësimdhënësi ka pasur një imazh të veçantë; edhe sot duhet ta kthejmë atë”, deklaroi ai.
Drejtoresha e shkollës, Sofie Bunjaku, u shpreh falënderuese që Haradinaj e Bytyqi kishin zgjedhur këtë shkollë për ta vizituar.
“Një shkollë që ndan emrin e një veprimtar të madh. I treguam një traditë të punës kryeministrit”, tha ajo.