Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka treguar vizitat e tij me rastin e Krishtlindjes ku ka uruar të gjithë Krishterët.
Ai ka thënë se bashkimi i familjeve në data të veçanta që përcjellin porosinë e dashurisë dhe paqes është një ndjenjë shumë e mirë.
Postimi i plotë:
Shtëpia është e mikut e festat kanë kuptim vetëm kur kalohen me miq.
Sot kisha kënaqësinë që të qëndroja në Zllakuqan, në familjen e Don Franë Kolaj, familje e nderuar e atdhetare, miqësia me të cilët daton që nga ditët e lavdisë.
Po ashtu isha për vizitë te familja e Simon Perlaskaj, me të cilin kam miqësi disa dekadash dhe që po e kalon festën e parë pa babain.
Vizita e radhës ishte te familja Grabanica në Shtupel. Kjo familje që më qëndroi afër për shumë vite, po e kalon festën e parë pa mikun tim e kryefamiljarin e tyre Kolën.
Vazhdova më pas në Jabllanicën e dikurshme, Shqiponjën e sotme, të pathyeshmen dhe fshatin simbol të rezistencës. Qëndrova te Shefqet Brahimaj, një prej burrave më të zot të Shqiponjës.
Ditën e sotme e përmbylla në familjen e bashkëluftëtarit të Shkelzenit, Pashk Musaj në Ratishë. Një burrë i dëshmuar në ditët e vështira, luftëtar i dalluar dhe mik i mirë.
Bashkimi i familjeve në data të veçanta që përcjellin porosinë e dashurisë dhe paqes është një ndjenjë shumë e mirë. Shqiptarët ofrojnë ambient shumë familjar, të ngrohtë dhe mikpritës.
Të bekuar me trashëgiminë dhe vlerat unike të kombit tonë, sot lutemi për shëndet, begati e harmoni. Gëzuar për shumë mot!