Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Shqiponjë të Gjakovës.
Haradinaj tha se për lirinë e vendit, Shqiponja, Gjakova dhe tërë Kosova dhanë më të dashurit e tyre, të cilët u flijuan, në mbrojtje të atdheut, të vlerave dhe identitetit tonë.
“Sot, në kujtim të kësaj sakrifice sublime, kam bërë homazhe në Shqiponjë në nderim të dëshmorit Idriz Gucati, martirëve Zize Syla, Ukshin Hamza, Arif e Sejdi Kosumi, dhe dëshmores Aze Brahimaj”.
“ Si sot, 20-vjet më parë ra heroikisht për të jetuar në kujtesën e popullit tonë, Nëna Azë, e cila ishte bërë shtyllë e fuqishme për njësi të tëra të UÇK-së. Një nënë luftëtare si ajo, është unike në historinë tonë të re dhe sot kur e kujtojmë me pietet, duhet të vëmë në pah se lavdia e UÇK-së nuk do ta kishte përmasën që e ka pa nënat tona të papërkulura. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.