Kryeministri Ramush Haradinaj ka treguar për masat që kanë marrë institucionet e Kosovës në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq, pas reagimeve të ambasadave të huaja, të cilët akuzuan direkt politikën kosovare.
Haradinaj ka thënë se hapi i parë që ka ndërmarrë ka qenë shkarkimi i Drejtorit të AKI-së dhe Ministrit të Brendshëm.
“Duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar Drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin”.
“Me angazhim të plotë për të qartësuar përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese dhe ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë kombëtare, kam kërkuar raporte hetimore nga Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror”.
“Gjithashtu në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq. U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit”.
“Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pakompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme”.
Haradinaj ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se Kosova nuk do t’i shkelë mbi të drejtat universale të njeriut.
“Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”.