Ka përfunduar takimi i kryeministrit Ramush Haradinaj me banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë, i cili kishte nisur në orën 20:00, raporton Ekonomia Online.
Në takimin ku merrnin pjesë dhe menaxhmenti i KEK-ut e përfaqësuesit e Komunës së Obiliqit janë përafruar qëndrimet rreth kushteve dhe pagesës për zhvendosjes e banorëve nga zona e mihjes së thëngjillit për nevojat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Qeveria është pajtuar që të paguajë nga 350 euro për metër katror bruto për shtëpitë.
Takimi i ardhshëm pritet të mbahet nesër në ora 14:00, në Zyrën e Kryeministrit.
Kryeministri Haradinaj iu tha banorëve të katër lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade të Komunës së Obiliqit se zgjidhja e problemit të tyre do të bëhet me angazhimin e plotë të të gjithë mekanizmave dhe Qeverisë. Ai tha se do të bëhet rivlerësimi i pronave dhe njëkohësisht do kërkojë edhe punësimin e nga një anëtari të familjeve të dy fshatrave në Obiliq.
Kryeministri Haradinaj, po ashtu kërkoi krijimin e një komisioni të përbashkët me përfaqësuesit e lagjeve të fshatrave Shipitullë dhe Hade, në përbërje të të cilit do të jenë edhe ministrat e Qeverisë, ai i Mjedisit dhe Planifikimit Hapwsinor, Zhvillimit Ekonomisë, si dhe përfaqësues të Komunës së Obiliqit e të KEK, pastaj të takohen në Zyrën e Kryeministrit për ta nisur procesin e zgjidhjes së problemit të shpronësimit.
Kryeministri Haradinaj shfaqi gatishmërinë e tij për të ndihmuar përmes vendimit në Qeverinë e Kosovës në zgjidhjen e kësaj çështje.
Ai tha se prodhimi i energjisë në KEK nuk mund të ndalet meqë është jetik për gjithë qytetarët dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në takim merrnin pjesë banorë të katër lagjeve të dy zonave të shpallura me interes të veçantë, lagjes Mirena, Mjeku, Krasniqi dhe Berbatovci.
Banorët kanë kërkuar “shpronësim të dinjitetshëm”, punësim dhe çmim të merituar për shtëpi dhe toka.
Pati edhe banorë që deklaruan se në Shipitullë ka shtëpi të pabanueshme që janë ndërtuar për të përfituar nga shpronësimi.
Pjesë e këtij diskutimi ishin dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka; ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj; drejhtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi etj.