Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në 18 vjetorin e të rënëve në Rogovë të Hasit ka përkujtuar pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët në janar të vitit 1999 ranë në pritë në këtë fshat nga ushtria serbe.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, është shprehur se vetëm në Kosovë ndodh që një vend i vogël si Rogova e Hasit, të na kujtojë se sa të mëdha janë plagët e këtij populli!
“Sot, në këtë 18 vjetor, i kujtojmë gjithë ata burra trima, që ranë për vendin dhe lirinë e përbashkët! I falem lavdisë dhe sakrificës së tyre, pavarësisht largësisë sime nga Rogova ku prehen!”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj në mungesë të prezencës së tij në këtë përvjetor, e ka publikuar një fotografi nga përvjetori i vitit të kaluar.
Kujtojmë se Haradinaj ende gjendet në Francë. Kjo pas arrestimit të tij më 4 janar nga policia franceze bazuar në një fletëarrest të Serbisë.
Ndërkohë që sot janë bërë 18 vjet që nga masakra në fshatin Rogovë të Hasit, aty ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nuk u kursyen as civilë të fshatit.Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona.|
Aty heroikisht dhanë jetën: Agim Zeneli, Luan Smajli, Agron e Sejdi Rama, Pren e Meme Lleshi, Agush Gjoci, Valon Gashi, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çeta, Kasim Shala, Hamdi Berisha, Gezim Ademi, Haxhi Lypjani, Gasper Karaçi, Ilir Merturi, Naim Gashi,Naim Dreshaj, Sahit Krasniqi dhe Vesel Avdyli.