Kryeministri Ramush Haradinaj ka vizituar Komunën e Suharekës, ku është takuar me kryetarin Bali Muharremaj. Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje nga takimi, raporton Ekonomia Online.
Pas këtij takimi, kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në përurimin e Shtigjeve të Ecjes në këtë komunë.
Prerjen e shiritit për dallim nga herët e kaluara nuk e kanë bërë Haradinaj dhe kryetari Muharremaj, por një nga nxënësit dhe një sportist që kishin dalë për ta pritur.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka përuruar “Shtigjet e Ecjes” në Suharekë, derisa nga atje ka drejtuar kritika për kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, rreth ndriçimit në Parkun e “Gërmisë”.
“Shtigjet e ecjes janë bërë për lakmi, është mirë me i pasë edhe në Prishtinë. Në Suharekë ka nevojë për plot projekte. Nuk kemi hek dorë nga projektet që i kem parapa për Suharekën. Në Gërmi u kon ide mos me shtru në kocka, por të paktën ndriçimin me e rregullu. Staza e vrapimit në Gërmi është pa ndriçim, dhe duhet të ketë ndriçim.”
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, tha se “Shtigjet e Ecjes” janë një vend që kanë qasje edhe personat me aftësi të kufizuara.
“Vitin tjetër do të bëhet edhe një trase prej 2.5 kilometrave. Është një vend i bukur për njerëzit që dojnë me pushu, dhe ju bëjë thirrje ta ruajmë këtë ambient,” është shprehur Muharremaj.
Haradinaj sot do të vizitojë edhe Kompaninë “Frutex” me rastin e përurimit të linjës së eksportit dhe merr pjesë në përurimin e fillimit të punimeve në rrugën Delloc-Shterpc.