Kryeministri Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se do të ishte mirë që politikanëve t’iu refuzohen vizat por t’iu jepen qytetarëve, në mënyrë që të lëvizin lirshëm.
Kjo pasi u pyet nga Ekonomia Online lidhur me raportimet në medie se Ambasada e Britanisë së Madhe ia ka refuzuar vizën, javën që shkoi.
Haradinaj ka mohuar se i janë refuzuar aplikimet për vizë, nga ambasada e SHBA-së dhe ajo e Britanisë së Madhe.
Kreu i ekzekutivit madje tha se për vizë ka aplikuar si çdo qytetar dhe se nuk ka kërkua vizitë të jashtëzakonshme.
“Shumë keq është nëse ndodh. Mirë na kishin ba neve politikanëve me na i refuzu vizat po ma jua dhanë qytetarëve. Ma keq që ka mbetë një vend kështu. Politikanët i marrin vizat mos jua bani dertin, sigurt po ju them që i marrin. Problemi është se Kosova është e izoluar”.
“Sa i përket Anglisë, unë kam vizitë më 26 shkurt me qenë i rregullt kam aplikim si çdo qytetar për vizë , procedura ma e shkurtër ishte 5 ditë deri 2 javë. Nuk kam kërkua vizitë të jashtëzakonshme”.
“Për Amerikë ju kam thanë kam pas disa ftesa kryetari i qeverisë vendoset një farë rregulle, nuk është mirë me shkuar pa vizitë bilaterale, kur ka vizitë të tillë shkoj në çdo vend të botës pra për këtë arsye kjo i ngjason asaj, kur fitova me than në fillim nuk ja uroj kërkua po tani krejt ma uron, i kisha lut mediet mos me u ngut se s’din çka me than pastaj kur ndryshon kjo gjendje kur konfirmohet, do të udhëtojë më agjendë kur i ndihmoj Kosovës”.
Mediet raportuan se Ambasada britanike nuk e ka pajisur deri tani me vizë kryeministrin Ramush Haradinaj, gjë që vë në pikëpyetje pjesëmarrjen e kreut të ekzekutivit në Samitin e Investimeve të Ballkanit Perëndimor, që organizohet në fund të shkurtit në Londër.
Dy javë më parë, edhe Ambasada amerikane refuzoi t’i japë vizë Haradinajt, duke mos i lejuar atij udhëtimin drejt shtetit të Iowas, raporton Ekonomia Online.