Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherit kandidat për kryeministër nga koalicioni PAN, ka pranuar një titull dhe një medalje. Bëhet fjalë për titullin “Misionar i Paqes” dhe Medaljen “Golden Ambassador Richard Holbrooke”, që i ndahet nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet dhe Misioni Diplomatik Amerikan për Paqen Botërore, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, dhe nga delegacioni diplomatik për paqe ka thënë se kjo ngjarje po ndodh për herë të parë në Ballkan e në Kosovë.
“Sot ju z. Haradinaj do të merrni Medaljen e Paqes. Ky është privilegj dhe përgjegjësi, sepse ju do të udhëhiqni shtetin e Kosovës dhe kjo certifikatë që u vulosë nga Amerika akademike të takon ty nderi i gjithë popullit shqiptar. Mediet do të shkruajnë për ju si Gandi i dytë i Ballkanit”, ka thënë Shahini.
Shefki Hysa, drejtor i Misionit të Paqes dhe Prosperitetit tha se Haradinaj nuk i përket vetëm Kosovës, por gjithë botës për paqe. Ai ka thënë se “sa herë që ne kujtojmë që kemi hero si Ramushi, na thonë t’i harrojmë, por a harrohet lufta e UÇK-së për paqe dhe prosperitet, kjo luftë bashkë me Ramushin nuk harrohet sepse ato ishin sakrifica të bijve e bijave të popullit shqiptar”, tha ai.
Randal Torno përfaqësues i “Golden Ambassador Richard Holbrooke” ka lexuar letrën e ardhur për Haradinajn.
“Është nder t’iu drejtohem Haradinaj, sepse ju jeni njeri i paqes, deputet dhe kandidat për kryeministër. Ju punoni prej vitesh për të sjell paqe e prosperitet në Evropë e Kosovë. I akuzuar padrejtësisht si në Kolmar të Frances ashtu edhe në Hage, e dëshmuat që ju jeni simbol i paqes dhe prosperitetit”.
Kurse i nderuari me këto çmime, Ramush Haradinaj ka thënë se është nder nga shqiptarët, sepse siç tha ai, “shqiptaret rrënjët i kanë në paqe, por që për këtë paqe është dashtë sakrificë e flijim”.
“Kjo prezencë e përbashkët e gjithë neve dhe qëllimi për të më nderuar mua si një djalë shqiptar që e donë lirinë e paqen, e kur vjen ky nderim nga Amerika është vetvetiu më i çmueshëm, sepse Amerika është engjëlli ynë mbrojtës. Ne jemi të lirë sot, paqja na intereson, jo vetem në Ballkan por edhe në botë, e për me pas paqe duhet me ruajt atë”, është shprehur Haradinaj.