Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, se kanë paraparë lëshimin e 800 milionë eurove në treg për të përmirësuar gjendjen ekonomike, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se kjo parti ekonominë e kanë trajtuar me kujdes, ku ka përmendur Fondin Emergjent si dhe atë për garantimin e kredive.
“Ne pjesën e ekonomisë e kemi trajtuar me kujdes. Tani jemi në një sfidë se ka rënie të ekonomisë por ne e kemi paraparë Fondin Emergjent. E kemi Fondin për Garantim të kredive me i aktivizua ato, kjo është reale me ndodhë. E kemi paraparë që 800 milionë euro me i shti në tregun tonë që me ndalë këtë rënien ekonomike. Krejt instrumentet i kemi me parametra real”, ka thënë Haradinaj, gjatë vizitës në kompaninë “Erc Trade” në Bardhosh.
Haradinaj ka kërkuar votën e familjarëve të kësaj kompanie, ku ka thënë se kandidatura e tij për President i siguron vendit hyrjen në NATO.
“Pra kandidatura ime për President i siguron vendit hyrjen në NATO, e kemi lënë edhe si mundësi bashkimin me Shqipërinë. Nëse na jepni votën e respektojmë votën tuaj”, tha Haradinaj.
Kandidati për deputet, dhe njëherësh ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi, tha se në krye të shtetit duhet të jetë dikush që mbështet bizneset.
“Kjo është një familje që ka punuar vet dhe i ka arritur vet. Ofertën që ne e kemi për Qeverinë e ardhshme dhe Ramushin për president janë të bëshme janë të realizueshme. Neve na duhet dikush i fortë që na mbron që na ruan kufijtë dhe dikush që mbështet bizneset. Kërkojmë votë pa turp se kemi një ofertë të mirë”, tha Selimi.
Ndërsa, Lavdie Rexhepi, kandidate për deputete, ka kërkuar përkrahjen e të pranishmëve
“I jam bashkuar rrugës së presidentit dhe kërkoj përkrahjen tuaj”, tha tutje ajo.
Në anën tjetër, Elmira Retkoceri kandidate për deputete tha se tatimet për vitin 2020 do të shtyhen për vitin 2022
“Në vitin e parë planifikojmë të bëjmë mbledhjen e TVSh-së pas pagesës. Tatimet për 2020 do të shtyhen për 2022. Do të ndihmojmë qytetarët me nga 100 euro. Ju ftojë të na mbështetni neve si subjekt e kandidatë të rijnë”, tha Retkoceri.