Kryeministri, Ramush Haradinaj priti sot në takim përfaqësues të Federatës së pavarur të Elektrokosovës, Hysni Gashi, kryetar i FSPE-së, Fehmi Pajaziti, nënkryetar, Rashit Gashi, sekretar, si dhe dy përfaqësues të punëtorëve të larguar nga puna në KEDS, Ruzhdi Sadiku dhe Remzi Demaj.
Këta të fundit e informuan kryeministrin lidhur me vendimin që ka marrë menaxhmenti i KEDS-it për largimin e 100 punëtorëve nga puna, sipas tyre pa bazë ligjore dhe pa ndonjë arsye.
Kryeministri u zotua se do ta shqyrtojë këtë çështje së bashku me menaxhmentin e KEDS-it për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.
Haradinaj tha se temat që kanë të bëjnë me KEK-un, janë duke u trajtuar me kujdes nga Qeveria që ai drejton dhe se personalisht është i angazhuar që t’u japë drejtim atyre temave gradualisht, përmes korrigjimit të situatave problematike, në mënyrë që të krijohet klimë dhe kushte normale të punës për të gjithë punëtorët.
Kryeministri i informoi ata rreth takimit të djeshëm me investitorët e KEDS-it, duke u thënë se iu ka shprehur shqetësimet rreth ndërprerjeve dhe çmimeve të energjisë elektrike dhe se u ka kërkuar që të kihen parasysh, mbi të gjitha, interesat e konsumatorëve.
Përfaqësuesit e FSPE-së në emër të të gjithë punëtorëve të larguar, shprehën besimin dhe shpresën e tyre se Kryeministri Haradinaj do ta zgjidhë me sukses çështjen e punëtorëve të larguar nga puna në KEDS.
Në takim ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili poashtu ka thënë se ai do të bëjë të duhurën që të arrihet një marrëveshje ndërmjet punëtorëve të larguar nga puna dhe menaxhmentit të KEDS-it.