Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka thënë se kanë pasur mundësi të kthehen në seancë edhe më shpejt me 61 vota, por që ka lindur një mundësi e re më gjithëpërfshirëse.
“Kemi pasur mundësi me u kthy në seancë më shpejt me 61 votë, mirëpo ka lindur një mundësi e re një situatë më gjithëpërfshirës. Vetë presioni i AKR-së dhe në respekt të proceseve, në respekt të kësaj mundësie i kemi dhënë kohë”, tha Haradinaj.
“Pra, keni parasysh që mos t’i jepnom rëndësi këtij procesi të ri, presionit të ri të AKR-së do të ishim në punë sot, por e kemi bërë me kujdesin më të madh sepse mendojmë që është mirë ndaj proceseve të vendit. Pra, kjo kohë që e kemi humbur deri tani për të cilën nuk jam i kënaqur që e kemi humbur, megjithatë atë ta quaj ashtu arsyetohet me faktin se do të kemi një përfshirje më të gjerë në qeverisje”.
Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për 24 gusht. Por, Haradinaj nuk ka dashur të thotë me siguri se në këtë seancë do të zgjedhen kryeparlamentari dhe nënkryetarët e Kuvendit, si dhe Qeveria.
“Nuk besoj që do të humbim shumë kohë në ditët që vijnë. Nuk e di sa do të mundemi me implementu në këtë javë që po hyjmë, mirëpo nuk do t’i humbim shumë kohë vendit”, tha kreu i Aleancës.
Ai këto komente i bëri në një konferencë për media, ku prezantoi gjashtë kandidatë për kryetar të komunave.