Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Kryeministri Haradinaj, e njoftoi ambasadoren Stjernvall për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, për prioritetet e qeverisë në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe të arriturat në fusha të tjera të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj e falënderoi ambasadoren e Finlandës për gjithë mbështetjen që e ka dhënë shteti finlandez në Kosovë si partner i fuqishëm dhe përkrahës i madh i proceseve eurointegruese të vendit tonë.
Kryeministri Haradinaj kërkoi nga ambasadorja Finlandeze përkrahjen e saj në aksionin për pastrimin e Kosovës, që do të nisë më 15 shtator 2018.
“Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën në programe të caktuara që kanë pasur rëndësi të veçantë për jetën e qytetarëve. Sot kërkova nga ambasadorja finlandeze që të na bashkohen në aksionin tonë për pastrimin e Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje, duke shprehur gatishmërinë e shtetit të saj për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon.