Nasim Haradinaj, i akuzuar nga Gjykata Speciale për disa vepra, ka deklaruar në Dhomat e Specializuara se Zyra e Prokurorisë është e përkrahur nga Qeveria e Serbisë dhe si e tillë, është duke u trajtuar me përbuzje.
Para trupit gjykues, Haradinaj deklaroi se muajt e fundit Prokuroria ka pasur një sjellje të keqe ndaj tij pasi që “frika jonë më e madhe është realizuar”.
“Prokuroria nuk e meriton që unë të jem këtu, që t’ua bëj dekorin. Vendosa të bij këtu të them të vërtetën, veprimet e kësaj Prokurorie dëshmon se jam këtu prej 14 muajsh, kur asnjë provë nuk mund t’i mbështes akuzat qesharake”, tha ai.
Haradinaj, ish-nënkryetar i OVL-UÇK-së, ka deklaruar se kushdo që ka kryer krime duhet të përballet me drejtësi, dhe se procesi ndaj tij duhet të jetë i drejt e transparent.
“Kjo me dyer të mbyllura është e turpshme, kjo Prokurori po e dëshmon atë që e kam thënë unë me OVLn për Prokurori. Kushdo që ka kryer krim, nuk meriton aspak dhe duhet të përballet me drejtësinë. Prokurori Jack Smith qëndroi para jush dhe tha ‘kjo s’ka të bëjë me UÇK-në. Kjo është gënjeshtër. Është pikërisht e kundërta. Kjo Prokurori po e falënderon Qeverinë e Serbisë për mbështetjen e dhënë”, shtoi tutje.
Për një moment, Haradinajt iu ndërpre fjala nga Gjykata nën arsyetimin se po flet jashtë temës, derisa më pas iu dhanë edhe pesë minuta.
Ai bëri thirrje që kjo çështje ndaj tij të përfundojë sa më shpejt dhe të mbyllet.
Atij iu tha të fliste më qetë, derisa ky deklaroi se është zëri i tij natyral dhe nuk po bërtet.