Kabineti qeveritar ka shqyrtuar raportin e Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit gjatë vitit 2018-të, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Integrimeve Evropiane (MIE), Dhurata Hoxha tha se programi i MSA-së për 2018-të ka tejkaluar parashikimet ku ka pasur performancë më të mirë.
“Shkalla e përgjithshme e programit në 2018 është 68.32%, ndërsa 31.77% nuk kanë arritur të zbatohen brenda afateve kohore. Sipas gjetjeve institucionet kanë treguar performancë më të mirë nga viti paraprak. Objektivi i përmbushjes së marrëveshjes së MSA-së ka qenë 60% këtë vit ka tejkaluar për 8%”, tha Hoxha.
Ajo kërkoi që në këtë vit të ketë zbatim edhe më të madh të MSA-së.
“Kërkoj angazhim edhe më të madh sepse 70% duhet të përmbushen dhe indikatorë për përkrahje buxhetore është zbatimi i MSA-së, kërkoj nga ju që të njëjtin bashkëpunim dhe koordinim që kemi pasur ta kemi edhe më shumë”, tha ajo.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se këtë vit e ka në plan në organizojnë një takim me kryeministrat e Ballkanit për të diskutuar për këtë temë.
“Këtë vit në prill e kemi përvjetorin e 3-të të MSA-së kam shpreh dëshirën që të organizojmë një takim me kryeministrat e Ballkanit me bisedu për MSA-në dhe do ftojmë edhe komisionarin Hahn të jetë këtu”, tha Haradinaj.
Kërkesa e Haradinajt u miratua edhe nga ana tjetër e kabinetit qeveritar.
Haradinaj tha se gjatë takimit do të mund të hapen shumë tema në interes të vendit se çfarë ambicie kemi për MSA-në për më tutje, po ashtu edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën pasi që në muajin qershor do të jetë mbledhja e Këshillit të Ministrave.
“Nuk kemi pse me i ikë realitetit dhe aty do mundemi me bisedu edhe për liberalizimin e vizave, ekziston mundësia që në qershor mu diskutu për liberalizimin tonë. Mund të ndodh se Platformën për Dialog mund ta kemi së shpejti në Kuvend, jemi në konsulta edhe më tej me kryetarin, për nesër është e ftuar një seancë për epopenë e Jasharajve, në 15:30 është seancë solemne ku do kemi një fjalë unë dhe kryetari i Kuvendit”, tregoi Haradinaj, raporton EO.
Zv. kryeministri, Fatmir Limaj, kërkoi nga disa ministri të caktuara t’i dërgojnë punët që janë kryer deri më tani nga marrëveshja që janë bërë me Shqipërinë.