Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në interpelancën e thirrur nga LDK-ja lidhur me vendimin e Nenad Rikalos për subvencione në pjesën e veriut tha se që prej arrestimit të Gjuriqit në veri është ndërlikuar marrëdhënia me Listën Serbe.
Mosprezencën e ministrave të Listës Serbe në mbledhje të qeverisë, kryeministri Haradinaj e konsideroi si normale duke thënë se ka ndodhur shumë herë që Kosova është ballafaquar me një bojkot të tillë.
Haradinaj tha se gjendja në bujqësi meriton vëmendjen e të gjithëve, raporton Ekonomia Online.
“Gjendja në bujqësi është gjendje që meriton vëmendjen e të gjithë neve. Kosova ka aplikuar disa masa që ka mbërri te bujqit për grante, subvencione. Me rëndësi për bujqit është lirimi prej taksave në lëndë të parë, p.sh. për naftë ende e pagujnë lëndën e parë”.
“Kam vërejtë një shkallë të transparencës në detyrat e tij, ne kemi një fond të caktuar për mbrojtjen e bujqve, vlerësimi ka qenë korrekt për të. Jemi në një marrëdhënie të ndërlikuar me Listën Serbe, prej rastit të arrestimit të Gjuriqit në veri. Megjithatë ju siguroj se Ministria është funksionale, zv.ministri është në mbledhje të qeverisë, vazhdon puna. Nuk është hera e parë që Kosova është ballafaquar me një bojkot të tillë. Kosova e ka dëshmu se është e gatshme të dëshmojë në mënyrë të barabartë të gjithë, dhe të mbërrijë edhe tek ata në veri ndihma”.
Lutfi Zharku, në emër të parashtruesit të interpelancës, tha se vendimi i Rikalos për ndarje të veçantë të fondeve nga buxheti për pjesën veriore është në kundërshtim me planin për bujqësi.
“Subjekti politik i Rikalos, Lista Serbe, e ka bërë të qartë se nuk është pjesë e qeverisë dhe deputetët e saj kalojnë herë në pozitë e herë opozitë pavarësisht kërkesave që iu plotësohen”.
“Rikalo kishte ndarë fonde nga buxheti 2 milionë euro për pjesën e veriut. Vendimi i ministrisë për ndarje të veçantë të mjeteve është në kundërshtim me planin për bujqësi që nuk parashihet të ketë ndarje të veçantë për favorizim të zonave të caktuara”.
Sipas Zharkut, thirrja për ndarjen e granteve për pjesën veriore të Mitrovicës është bërë për qëllime politike, raporton Ekonomia Online.
“Thirrja e veçantë për grante për ndarjen e granteve për pjesën e Mitrovicës veriore është në kundërshtim me dokumentet dhe është bërë për qëllime politike. Rikalo po nxitë banorët e këtyre komunave që mos ta njohin shtetin e Kosovës”.