Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim trajnerin e xhudos, Driton Kuka dhe ekipin e xhudistëve.
Haradinaj tha se shteti i Kosovës u është mirënjohës, xhudistëve kosovarë për ngritjen e flamurit të Kosovës në nivelet më të larta botërore të sportit
“Kosova ka shumë vajza e djem të suksesshëm që po na bëjnë krenarë kudo në botë. Xhudistët tanë kanë arritur kulmin me medalje botërore dhe evropiane. Ju me talentin tuaj dhe punën e palodhshme, e ngritët flamurin e Kosovës në nivelet më të larta botërore të sportit dhe për këtë ju jemi mirënjohës përjetë, siç do t’i marrim përsipër edhe obligimet tona si shtet karshi juve”,
Kryeministri Haradinaj në emër të Qeverisë së Kosovës e ka përgëzuar ekipin kosovarë të xhudos për arritjet e shumta, duke thënë se ju jeni shembulli më i mirë për të rinjtë tjerë se si duhet të punohet dhe të afirmohet vendi.
“Ju jeni gjenerata e artë e vendit dhe normë olimpike. Përkrahja për ju duhet të jetë e pakursyer dhe ne si Qeveri do të angazhohemi që krahas infrastrukturës ligjore për të cilën kemi punuar, të avancojmë edhe në infrastrukturën teknike që ju të keni kushte më të mira për të ushtruar”, kështu ka thënë Kryeministri Haradinaj.
Ekipi i xhudistëve kosovarë e kanë njoftuar Kryeministrin Haradinaj për të gjitha sukseset e xhudistëve të Kosovës, duke thënë se ky ka qenë viti më i suksesshëm për ekipin e tyre, duke i fituar 21 medalje në garat e shumta ndërkombëtare dhe kanë kërkuar nga Qeveria mbështetje institucionale për përmirësimin e kushteve të punës, për të cilën kërkesë kanë marrë mbështetjen e Kryeministrit Haradinaj për mbështetje konkrete në këtë drejtim.
Kryeministri Haradinaj tha se është për admirim puna që po bënë ekipi i trajnerit Kuka, duke theksuar se institucionet e vendit duhet që të krijojnë kushte dhe hapësirën e duhur, në mënyrë që të rinjtë tanë mund të përfshihen më shumë në sfera të ndryshme të jetës shoqërore.
Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje.