Haradinaj: Qeveria Kurti ndoqi një politikë armiqësore ndaj Deçanit

Prishtinë | 19 Mar 2024 | 23:04 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit do të jetë i vështirë për banorët e Deçanit dhe të krejt komunës.

Sipas Haradinajt, në Deçan janë shumë tema të ndërlidhura për të cilat Qeveria duhej të mendohej para se të vendoste për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, teksa shtoi se nuk është vetëm çështja e pronës.

I pari i AAK-së shtoi se në Deçan ka shumë projekte që kanë mbetur të bllokuara, që rrisin pasurinë e Deçanit, por këto nuk janë marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës.

‘’Për fat të keq Qeveria ndoqi një politikë shumë armiqësore për Deçanin, në një formë e shpalli armik Deçanin, ia ndaloi të gjitha këto projekte duke i thënë se i ndihmojmë manastirit. Nuk bëri ndonje marrëveshje të brendshme që nëse kjo ndodh t’i jepen Deçanit disa toka të tjera. Kjo ndodhi në një formë si inati ndaj Deçanit’’, tha Haradinaj, në ‘’Click’’ të RTV21.

Haradinaj tutje ka shtuar se puna në Deçan nuk do ndalet. “Nuk mundet me ndalë kërkush, është ndërru pamja e Deçanit’’.

Të ngjashme