Kryeministri Ramush Haradinaj ka prezantuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, duke iu kërkuar deputetëve ta votojnë këtë marrëveshje.
Sipas kreut të ekzekutivit, ratifikimi i demarkacionit nuk e rrezikon territorin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“ Të gjeturat e komisionit shtetëror e plotësojnë marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe krijojnë pako të pakontestueshme ligjore për korrektimin e gabimeve të bëra në drejtim të kullës dhe Çakorrit siç është caktuar në marrëveshjen e presidentëve”.
“Vota pro Ligjit është votë për shtetin. Kosovës për perspektivën euroatlantike të vendit për liri të lëvizjes, ju garantoj se ratifikimi i projektligjit nuk rrezikon territorin e Kosovës, vota pro këtij ligji është kërkesë e shumicës së qytetarëve, ju bëjë thirrje pa dallim partie të votoni pro këtij projektligji”.
Fjalimi i plotë i kryeministrit:
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës, z. Veseli,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, kabinet qeveritar,
Media, qytetarë të Kosovës.
Kam nderin të paraqesë para jush Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kemi kaluar një fazë jo të lehtë për të adresuar para jush një çështje ndër më të rëndësishmet për shtetin. Pas shumë përpjekjesh, bisedash e negociatash me partnerët dhe miqtë e Kosovës, por edhe me Malin e Zi, kemi arritur të gjejmë një formulë të pranueshme për të gjitha palët.
Kemi arritur që edhe ta ruajmë të drejtën për tokën tonë, ta ruajmë fqinjësinë me Malin e Zi dhe partneritetin me aleatët strategjik të Kosovës. Jam i bindur se marrëveshja ndërmjet dy presidentëve dhe të gjeturat e Komisionit Shtetëror e plotësojnë marrëveshjen e nënshkruar më 2015 dhe krijojnë bazë të pakontestueshme ligjore për korrektimin e gabimeve të bëra në procesin paraprak, posaçërisht në drejtim të Kullës dhe Çakorrit, siç është specifikuar edhe në aneks marrëveshjen e presidentëve.
Vota pro këtij projektligji sot më shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës, është votë për perspektivën euroatlantike të vendit, është votë për liri të lëvizjes. I kemi analizuar të gjitha faktet dhe rreziqet dhe ju garantoj se ratifikimi i këtij projektligji me dokumentet përcjellëse nuk e rrezikon territorin e Kosovës.
Vendimi është në dorën tuaj dhe vota pro këtij projektligji sot është edhe kërkesë e shumicës së qytetarëve. Ju bëj thirrje pa dallim partie apo etnie, apo bindje ideologjike që të votoni pro këtij projektligji.
Ju faleminderit.
LEXONI EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/haradinaj-sdo-te-vinim-ne-seance-nese-nuk-do-te-kishim-80-vota/