Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka thënë se pas kërcënimit për luftë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por edhe ngritjes së aktakuzave nga Specialja, duhet institucione stabile për vazhdimin e dialogut.
Haradinaj situatën në Kosovë e ka vlerësuar si serioze dhe se për këtë gjë duhet një unitet kombëtar dhe politikë, duke nënkuptuar që procesi i dialogu me Serbinë duhe të ndalet.
“Kosova sot është me një situatë të pazakontë, të pa parë më herët. Gjendja është serioze dhe kërkon unitet kombëtarë dhe politikë në raport me zhvillimet e brendshme dhe ato të jashtme. Prioritet i vendit sot është stabiliteti institucional dhe unifikim politik karshi shumë agjendave ndërkombëtare”, ka thënë ai për Periskopin.
Haradinaj, po ashtu u shpreh se dialogu me Serbinë ‘nuk ka nguti’.
“Dialogu nuk ka alternativë sikurse nuk ka nguti. Edhe ashtu Kosova duhet të demonstrojë institucionalizëm serioz, pasi po flasim për shtetin që po atakohet nga shumë dashakqinjë të mvetsisë sonë”, u shpreh ai.