Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka renditur pikat kryesore të vitit 2019, nën qeverisjen e tij, e të cilat në një postim në Facebook i ka ndarë si suksese, sfida, dhimbje, krenari e mësime.
Ai ka cilësuar sfidë ftesën nga Gjykata Speciale. Ka thënë se dorëheqja e tij testoi Kosovën.
“Në pritjen e fundvitit të organizuar nga Zyra e Kryeministrit përmbyllëm një vit me suksese, sfida, e dhimbje. Unë poashtu isha i sfiduar me ftesën e papritur në moment kritik. Dorëheqja ime testoi Kosovën për të dëshmuar se demokracia jonë është stabile dhe se në kohë krizash vendimmarrja i kthehet sovranit”, ka shkruar ai teksa më pas ka renditur ato që ai i cilëson si suksese të vitit 2019.
Te sukseset ka renditur pesë pika: 1. Ushtria e Kosovës po konsolidohet në ushtri inteligjente me standarde të NATOs; 2. Kosova ka arritë pavarësinë energjetike dhe Trepça është gati për investime; 3. Investitori i parë strategjik SOWI + Parku ITP – me Gjermaninë; 4. Shtrirja e sundimit të rendit dhe ligjit edhe në Veri të vendit; 5. Transparencë e plotë në qëndrime politike, vendime dhe qasje në dokumente zyrtare – tani më është bërë ndryshimi duke instaluar kulturën qeverisëse me llogaridhënie të plotë.
Tek sfidat ka lënë: 1. Injorimi i arritjeve të Kosovës drejt liberalizimit të vizave për arsye politike nga BE; 2. Rikthimi i dialogut në binarë – dialog mes shteteve e jo dialog për nënshtrim – Kjo logjikë duhet të vazhdojë deri në njohje reciproke në kufijtë ekzistues pa vonesa e sfida artificiale; 3. Mbajtja e taksës 100% e cila nuk e pengon reciprocitetin. Tentimet për Minishengen dhe reciprocitet bëhen për të hequr taksën dhe nënshtruar Kosovën. Orientimi i Kosovës është drejt BE-së e jo drejt izolimit rajonal. Drejt NATO-s e jo Rusisë. 4. Keqpërdorimi i ndjenjave fetare për përfitime gjeopolitike është i rrezikshëm dhe ne duhet të jemi bashkë në luftimin e kësaj.
Në dhimbje ka theksuar tërmetin në Shqipëri e sulmet terroriste anembanë botës. Ka deklaruar po ashtu se Kosova qëndron fuqishëm përkrah SHBA-ve dhe aleancës globale kundër terrorizmit.
Haradinaj për krenari ka ndarë sukseset e rinisë së Kosovës në sport e kulturë.
Mësimet nga viti 2019 për Haradinajn ishin se “1. Kur jemi unik jemi më të fortë – bashkë në tema nacionale. 2. Kalkulimet për një grusht votash nuk e bëjnë shtetin”.