Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se ende nuk e kanë pranuar zyrtarisht nga Kuvendi iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, andaj nuk e dinë si do të veprojnë, raporton Ekonomia Online.
Por, Haradinaj, i pyetur nga gazetarët, gjatë një vizite në Obiliq, tha se Qeveria duhet t’i përgjigjet kërkesës së deputetëve.
“Është praktikë, procedurë, por ne ende nuk e kemi marrë zyrtarisht shkresën dhe nuk e dimë çka përmban shkresa ose materiali i drejtuar. Por, ekzistojnë marrëdhëniet standarde; qeveria është e respektueshme ndaj parlamentit dhe e respekton çdo kërkesë, çdo procedurë”.
“Nuk di si t’ju them, si do të veprojmë për shkak se ende nuk e kemi marrë dhe nuk e dimë çka përmban kërkesa”, tha ai.
Kryesia e Kuvendit vendosi sot që kërkesën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, të inicuar nga 43 deputetë, ta dërgojë në Qeveri, duke kërkuar mendim. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se një vendimi i tillë është marrë në bazë të Rregullores së Kuvendit.
Haradinaj ishte shprehur pro shfuqizimit të Gjykatës Speciale, por nuk dihet qëndrimi i tij tani pas reagimeve të ashpra të shteteve mike të Kosovës kundër kësaj nisme.
Tash, Qeveria ka një muaj kohë të japë një mendim për projektligjin. Sipas procedurave, nëse Qeveria kthen mendim pozitiv, atëherë projektligji futet në seancë.