Ramush Haradinaj e ka lënë të hapur mundësinë e një koalicioni me LDK-në. Mirëpo, ka thënë se nuk kanë shumë besim te Partia e Isa Mustafës për shkak se bëri koalicion me PDK/SHIK-un.
Haradinaj ka akuzuar Qeverinë se ka dështuar të gjejë zgjidhje për demarkacion e viza. Madje, ka thënë se mungesa e lëvizjes së lirë të kosovarëve në BE po bëhet për fajin e Ekzekutivit.
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se nuk e përjashton një koalicion të mundshëm me Lidhjen Demokratik të Kosovës. Mirëpo, ka treguar se nuk kanë një lakmi të madhe për të bërë një gjë të tillë.
Haradinaj ka thënë se e ka të vështirë t’i besojë LDK-së pas koalicionit me PDK-në të cilën në vazhdimësi e cilësonte si SHIK.
“Ne kemi pasur një përvojë të koalicionit me LDK-në, por tani nuk kam mendim të njëjte për ta, është shumë e vështir me i besu kësaj organizate, sepse ata na patën lodhë duke thënë, PDK, SHIK-u, por në fund lidhën koalicion me ta, dhe unë me nuk di se çfarë të mendoj për LDK”, ka thënë Haradinaj, në një takim me simpatizantët e Prishtinës.
Ka thënë se ka kërkuar zgjedhje të shpejta për shkak se e ka ditur se koalicioni mes dy partive të mëdha do të shkojë keq.
“Nuk e përjashtojmë mundësin e koalicionit, por një lakmi të madhe nuk e kam”, ka shtuar ai.
Ramush Haradinaj kishte bërë koalicion paszgjedhor me LDK-në ku ishte vetëshpallur Kryeministër në ardhje derisa Isa Mustafën e patën bërë jashtëligjshëm Kryetar të Kuvendit. Mirëpo, marrëveshje e quajtur VLAN ishte prishur kur Mustafa u bë Kryeministër në koalicion me PDK’në.
Prej atëherë raportet e Haradinajt me Mustafën janë prishur.
Tash, Haradinaj ka thënë se Isa Mustafa ka dështuar të zgjidh problemet me të cilat është përballur si demarkacioni me Malin e Zi dhe liberalizimi i vizave.
Ka thënë se koalicioni i udhëhequr prej Isa Mustafës vazhdon të mos ketë vota në Kuvend për temat e rëndësishme si shënimi i vijës kufitare me malazezët.
“Në sallë ishin të gjithë deputetet e tjerë të cilët përbenin vota të mjaftueshme, por Mustafa e tërhoqi, sepse ka plot deputet që nuk do ta votonin këtë version, por që nuk deklarohen. Imagjinoni sikur unë t’ju kisha ftuar sot këtu për të votuar për diçka, por që më pas ta tërhiqja, çfarë do të mendonit ju për mua”, ka thënë Haradinaj.
Ish-Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për liberalizimin e vizave duke lënë fajtore Qeverinë e Kosovës për këtë dështim.
“Arsyeja kryesore për këtë ngecje të vizave është Qeveria e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.