Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka kujtuar të gjitha viktimat e masakrës së 25 marsit të vitit 1999 në fshatrat Celinë, Fortesë dhe Brestoc.
“Kur i kujtojmë gratë, burrat, pleqtë dhe fëmijët e masakrës së 25 marsit 1999, në fshatrat Celinë, Fortesë dhe Brestoc, e ndjejmë sa rëndë peshon liria e Kosovës sonë të shtrenjtë. Ne, si shoqëri dhe shtet, nuk do të pushojmë kurrë së kërkuari drejtësi për viktimat, për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë”, ka shkruar shefi i Qeverisë në Facebook.
Sot bëhen 20 vjet kur forcat serbe vranë 75 civilë në Celinë, 69 në Fortesë dhe 49 në Brestoc të Rahovecit, ku ranë edhe pesë dëshmorë.
Masakrat u kryen një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave kriminele serbe në Kosovë.