Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e pranon se nuk ka një datë sa i përket liberalizimit të vizave. Ai i bëri komentet pas mbledhjes së Qeverisë, kur iu rikujtua se ka premtuar që ky proces do të ndodhë pas tre muajsh të punës së qeverisë së drejtuar nga ai, raporton Ekonomia Online.
Kreu i ekzekutivit shtoi se është duke pritur që të shohë të gjeturat e komisionit të ri për shënimin e kufirit, të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.
Komisioni do të paraqesë punën e tij, të hënën, para kabinetit qeveritar, konfirmoi Haradinaj.
“Ka një dinamizëm… Për temat që po i flasim, rend e ligj, në luftën kundër korrupsionit, ju e dini që është një punë dinamike. Sa i përket demarkacionit do të shohim se si do të procedojë javën që vjen. Komisioni ka ardhur me të gjeturat e veta”.
“Ne besojmë të hënën e diskutojmë në qeveri, pastaj e procedojmë më tutje. Nuk po jap datë menjëherë kur, por jemi në pritje të konfirmimit për heqjen e regjimit të vizave. Po presim të hënën dhe të mos bëjmë përgjigje hipotetike”, tha Haradinaj.
Komisioni i ri shtetëror për shenjimin e kufirit ka raportuar, para disa ditësh, para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane. Ajo që u paraqit për deputetët anëtar të komisionit ishte konsideruar raportim pa asnjë të re nga puna e komisionit paraprak.